Përdorues të lëndëve narkotike edhe fëmijët trevjeçarë
Fëmijët e vegjël, me të madhe marrin drogë në Maqedoni. Një ndër drogat më të preferuara të cilën mund ta sigurojnë ata, është ngjitësi i përzier me bronz, ndërsa konsumuesi më i vogël që ka marrë këtë lloj droge ka pasur vetëm tre vjet.....

Po ashtu, injektimi i drejtpërdrejt i heroinës në damarë është bërë nga një fëmijë tetëvjeçar. Këto janë disa nga rastet më eklatante në vend, të cilat janë paraqitur tek zyra e Avokatit të Popullit.
Sipas tyre, këta fëmijë, konsumatorë të drogës, në të shumtën e rasteve janë fëmijët të cilët mund të hasen nëpër rrugët kryesore të vendit dhe janë fëmijë kryesisht të braktisur nga familjarët e tyre. Askush nuk kujdesët për ta, ndërsa shteti akoma nuk ka siguruar kornizë ligjore për trajtim të mirëfilltë për këta fëmijë.
Organizatat qytetare kërkojnë zgjidhje imediate për këtë dukuri të shëmtuar.
“Nuk kemi të dhëna të sakta, mirëpo duke u bazuar në praktikën tonë dhe takimet që kemi pasur me fëmijët në teren, është se një pjesë e fëmijëve në rrugë konsumojnë ngjitës të përzier me bronz. Mirëpo kohëve të fundit jemi dëshmitarë se fëmijët po e përdorin edhe heroinën, që do të thotë se në vend kemi pasur raste ku një fëmijë tetëvjeçar injekton drejtpërdrejt heroinën në damarët e tij. Ky problem është shumë më serioz dhe më i madh se sa ju duket. Nevojitet të zgjidhet ky problem sa më shpejtë”- deklaroi Voskre Naumovska Ilieva-“HOPS”.
Në Maqedoni, akoma nuk ekzistojnë programe dhe trajtime të veçanta për fëmijët e varur nga droga, thonë nga zyra e Avokatit të Popullit. Edhe ata janë të shqetësuar, sepse mungon trajtimi i veçantë i fëmijëve, i cili do të dallojë nga trajtimi i konsumatorëve të rritur. Shpeshherë, fëmijët që marrin drogën ridërgohen nga njëri tek institucioni tjetër. Kjo situatë e vështirëson kurimin e tyre.
“Ajo që vazhdimisht po mungon në Maqedoni është se akoma nuk kemi realizuar programe të mirëfillta për trajtim adekuat të këtyre fëmijëve, trajtim i cili do të jetë më ndryshe nga trajtimet e tjera për konsumatorë të mëdhenj të drogës. Nuk kemi akoma institucione përkatëse për përkujdesje dhe kurim të veçantë të fëmijëve të cilët konsumojnë drogë”- tha zëdhënësja e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovska Mustafa.
Kjo u tha në tryezën e rrumbullakët kushtuar trajtimit dhe përkujdesjes së fëmijëve të cilët konsumojnë lëndë narkotike, ku Organizata Joqeveritare “HOPS”, e cila merret me të drejtat dhe liritë e fëmijëve në vend, shprehu shqetësimin për faktin se akoma nuk ka trajtim të veçantë për fëmijët e moshës deri në 18 vjeç, të cilët konsumojnë lëndë narkotike. (Rexhep Qamili, TVM2)
