UÇK, merr përsipër sulmet ndaj stacioneve policore

16.12.2014 17:16

Ushtria Çlirimtare Kombëtare, merr përsipër përgjegjësinë për sulmet me bomba në stacionet policore në Tetovë dhe Kumanovë, por ajo thotë se ka pasur sulme edhe në Shkup dhe Gostivar.....

“Mbrëmjen e natës 9 dhjetor, në orën 20, në mënyrë të koordinuar njësitet e UÇK-së goditën në afërsi stacionet policore në “Bit Pazar” të Shkup, njësinë speciale “Ilinden”-Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Kumanovë”– thuhet në komunikatën e UÇK-së.

Përveç komunikatës, nga posta e njëjtë elektronike ka arritur edhe një deklaratë politike, e nënshkruar nga i ashtuquajturi “Komandant Kushtrimi”.

“Shqiptarët kanë për të thënë edhe për emrin, flamurin dhe për të gjithë shenjat e shtetit fjalën e tyre. Andaj, kujdes me ato në proces. Të lirohen të burgosurit e proceseve të montuara e montuesit e inspiruesit e tyre të dënohen. Ua bëjmë me dije llafazanëve politik, pseudopatriotik të tipit të trimave të internetit e të proklamimeve politike të pashpresa, të mos përdorin e mos t’i shërbejnë me vetëdije a pa të arrogancës shoviniste të pushtetit të Maqedonisë”- thuhet mes tjerash në deklaratën politike të UÇK-së.

Por, nga Ministria e Punëve të Brendshme e kanë vlerësuar deklaratën e UÇK-së si joserioze. “Nuk e kemi në plan të merremi me deklaratat e tilla ose me autorët e tyre. Ndërkohë, ne vazhdojmë hetimet e shpërthimeve në Kumanovë e Tetovë, por edhe ato shpërthime që ndodhën afër qeverisë”- deklaroi zëdhënësi i Policisë, Ivo Kotevski.