Sulm në një shkollë në Pakistan, 132 të vdekur

16.12.2014 17:20

Rreth 132 persona janë vrarë, 125 prej të cilëve fëmijë, në një sulm të armatosur në një shkollë të administruar nga ushtria në provincën e Peshauarit të Pakistanit....

Një punonjës i shkollës dhe një nxënës, të intervistuar nga televizioni lokal “Geo”, thanë se sulmuesit kishin hyrë të veshur me uniformat e ushtrisë në një auditor, ku një njësi ushtarake po jepte mësimet e ndihmës së shpejtë për një grup studentësh dhe kishin hapur zjarr.

“Ne ishim të ulur në restorant, pamë gjashtë persona duke u ngjitur nga muri. Ne menduam se janë fëmijët dhe po luajnë  lojë. Por, pastaj dëgjuam të shtëna me armë zjarri, ata nisën të qëllojnë në ne, kështu që ne u futëm brenda dhe mbyllëm dyert. Ata ishin duke hyrë në çdo dhomë dhe rrihnin fëmijët dhe anëtarët e stafit"- deklaroi një zyrtar policor.

“Mësuesi ynë urdhëroi që të ulemi në një qosh dhe na tha që të ulim kokat. Pas rreth një orë, pasi të shtënat pushuan pak, personeli i ushtrisë erdhi dhe na shpëtoi. Kur dolëm, pamë në korridor miqtë tanë të cilët ishin qëlluar nga tre ose katër herë, kishte disa të vdekur dhe disa të plagosur”- u shpreh një nxënës.    

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ambulancat që kanë transportuar të plagosurit në spitalin më të afërt, ndërkohë që zona po patrullohet edhe nga një helikopter. Mes viktimave, raportohet të ketë edhe mësues, si edhe personel ushtarak të shkollës.

"Fëmijët e mi janë duke studiuar në këtë shkollë, e cila u sulmua. Në mëngjes kam marrë një telefonatë, duke thënë se disa militantë kanë hyrë në ndërtesën e shkollës dhe kanë qëlluar disa fëmijë. Nxituan për të shkuar në shkollë. Kam arritur këtu rreth orës 11:00. Njëri nga djemtë e mi erdhi nga shkolla, ndërsa tjetri  është ende brenda. Unë nuk kam ndonjë informacion në lidhje me sigurinë e tij, të afërmit e mi janë duke kontrolluar në spitale të ndryshme, por deri tani ata nuk kanë ndonjë informacion për  djalin tim se a është i vdekur apo i gjallë"- theksoi prindi i viktimës, Ejaz Mohammad.       

Kryeministri pakistanez, Nawaz Sharif, e ka konsideruar sulmin një “tragjedi kombëtare” dhe ka shpallur tre ditë zije. Përgjegjësinë për sulmin e kanë marrë talebanët, të cilët kanë thënë se kjo është një hakmarrje ndaj sulmeve të ushtrisë në Viziristanin Verior. (Valbon Bexheti, TVM2)