Maqedoni

U tërhoq nga votimi përmes statusit në FB, BESA dhe opozita në kërkim të Kastriot Rexhepit

11.11.2021 18:21

Mos prezenca e deputetit të Lëvizjes “Besa”, Kastriot Rexhepi, i solli para aktit të kryer deputetët dhe ndryshoi situatën në Kuvend...

Mos prezenca e deputetit të Lëvizjes “Besa”, Kastriot Rexhepi, i solli para aktit të kryer deputetët dhe ndryshoi situatën në Kuvend, ku pritet të votohet mosbesimi i qeverisë. Rexhepi u shfaq me një deklaratë në rrjetet sociale për të arsyetuar mosprezencën e tij. Nga BESA dyshojnë që Rexhepi vërtet e ka shkruar mesazhin e publikuar në profilin e tij në Facabook. 
 
“Lëvizja BESA qëndron e palëkundur në rënien e këtij regjimi i cili edhe me veprimet e fundit tregoi se është i gatshëm për gjithçka për të mbetur në pushtet. Sa i përket qëndrimit të deputetit, Kastriot Rexhepi, deri tani nuk kam pasur komunikim me deputetin. Kam dyshim se deputeti kundër vullnetit të tij të jetë i ndaluar, përderisa nuk kam qëndrim të tij me figurë me zë ku ai deklaron se ky është pozicioni i tij.”,- tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
 
Edhe opozita është në kërkim të deputetit, Kastriot Rexhepi, nga vota e të cilit varet shumica parlamentare për të rrëzuar Qeverinë.  
 
“Unë jam i shqetësuar si njeri, derisa zoti Rexhepi nuk paraqitet me figurë për të dalë për qëndrimin e tij, pavarësisht qëndrimit, për shkak se gjithsecili ka mendimin e vet. Por, këtë obligim e ka kryetari i parlamentit, sepse ai është parlamenti është institucioni që duhet të kujdeset për sigurinë e secilit prej deputetëve.”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
“Deri në 12 do të presim të shfaqet deputeti. Të shohim fillimisht a është gjallë dhe shëndoshë. Të shohim ku gjendet, pasi që përveç statusit në rrjetin social, tjetër gjë nuk dimë më për të. A është diku i detyruar apo ka shkuar me vullnetin e tij. T’i shohim ato vlera të BE-së dhe NATO-s për të cilat ka shkruar ai. Sepse deputetët nuk munden të zhduken aq papritmas. As presidenti i shtetit, as kryeministri e as kuvendi nuk e di se ku gjendet ai. Nëse e ka shkruar me vullnetin e tij, pse sot nuk është këtu dhe të votojë kundër dhe do të merrte fund iniciativa me 60-60.  Dhe do ta shpëtonim edhe opinionin nga ky turp, sepse kështu po hapen mundësi për spekulim.”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Mickovski gjithsesi vlerëson se me këtë veprim, sipas tij, pushteti është zhytur në baltë dhe nëse mendoj se është triumf politik, jo sepse kjo është turp për demokracinë. Nga BDI ndërkohë janë të bindur se Rexhepi ka vendosur me vullnetin e tij.
 
“Deputetët janë për një qeveri e cila kultivon vlera europiane dhe euroatlantike, prandaj edhe vendimi i zotit Kastriot Rexhepi është i tillë. Zemra e tij qëndron në Uashington në Bruksel, andaj besojmë se pikërisht ky është motivi që Rexhepi nuk merr pjesë në mocionin për rrëzimin e qeverisë.”,- tha Arbër Ademi nga BDI.
 
Deputeti, Skender Rexhepi, nga “Alternativa” megjithatë beson se deri në afatin ligjor për mbylljen e seancës do të sigurohet shumica për ta votuar mosbesimin e qeverisë. Megjithatë, ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës, ai e ka kritikuar veprimin e Rexhepit dhe nuk ka aspak dyshim që është tërhequr  me vetdëshirë nga vota pro rrëzimit të qeverisë. 
 
“Shpresoj se deri në orën 12 do të ndodhë e kundërta, por e mira është që ka ndodhur, se njerëzit që tradhtojnë një herë do të vazhdojnë të tradhtojnë gjithmonë. Afati është deri në orën 12 dhe deri atëherë gjithçka është e mundur.”,- tha Skender Rexhepi nga “Alternativa”.
 
Për t’iu dhënë fund dilemave, më në fund pasdite doli me një video paraqitje në FB edhe deputeti i humbur, Kastriot Rexhepi. 
 
“Siguria dhe stabiliteti i vendit, paqja dhe mirëqenia duhet të jenë gjëja më e rëndësishme për të gjithë. Kasami e të tjerët nuk kanë nevojë të shqetësohen, jam në vend të sigurt e në anën e duhur, jam me shqiptarët e të gjithë qytetarët e vendi që duan paqe, liri e demokraci, jam me BE-në e NATO-n, e jo me qarqet kundërshqiptare. Këtë po ua them me ndërgjegjje të plotë se sapo të kalojë kërcënimet e disa individëve, do të paraqitem para mediave të sqaroj të gjitha. Çdoherë do të angazhohem për lirinë e shprehjes e vendimmarrjen e lirë, si virtyt të shoqërive demokratike.”,- tha deputeti i Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi.
 
SANIJE DURAKU