Planet urbanistike t’i miratojnë një e treta e këshilltarëve

16.12.2014 17:41

Qeveria propozon që planet urbanistike nëpër komuna dhe në Qytetin e Shkupit të mund të miratohen me një të tretën e votave të këshilltarëve.....

Dispozita e këtillë në Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik parashihet të hyjë në fuqi nga një marsi i vitit të ardhshëm.

Sipas zëvendësministrit për Transport dhe Lidhje, Nimetulla Halimi, kjo është zgjidhje më e mirë se sa praktika e deritanishme.

“Deri tani, me zgjidhjen e vjetër ligjore nuk ishte e rregulluar, përkatësisht planet urbanistike miratoheshin me shumicë të thjeshtë nga këshilltarët prezent. Zgjidhja e propozuar është më e mirë se praktika  e deritanishme”- deklaroi  zëvendësministri për Transport dhe Lidhje, Nimetulla Halimi.

Miratimi i planeve urbanistike me një të tretën e votave të këshilltarëve do të krijojë kaos nëpër komuna, kundërshtoi deputeti i BDI-së, Ramiz Merko.

“Sigurisht se jam kundër sjelljes së planeve urbanistike me 1/3 e votave të këshilltarëve. Ajo do të krijojë kaos nëpër komuna. Llogarisni çdo kund, pakica do sundojë shumicën. Jo se atje zihemi mes veti, por në këtë mënyrë vlera e shumicës nëpër këshillat komunale do të jetë zero”- tha deputeti i BDI-së, Ramiz Merko.

Veç Merkos edhe deputetja, Liljana Popovska, nga shumica parlamentare u shpreh kundër kësaj dispozite. Propozim-ndryshimi u kundërshtua edhe nga deputetet e pavarura në opozitë.

“Neni i fundit 9 i shkatërron të gjitha proceset demokratike, e shkatërron sistemin juridik të një vendi dhe thotë: plani urbanistik konsiderohet se është miratuar nëse për vendimin për miratimin e planit urbanistik kanë votuar së paku 1/3 e numrit të përgjithshëm të këshilltarëve në komunë dhe në Qytetin e Shkupit”- u shpreh deputetja e pavarur, Sollza Gërceva.

Tre deputetët që votuan kundër këtij propozim-ligji, paralajmëruan se do të paraqesin amendamente në përmirësimin e tij. Me ndryshimet në Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, parashihet që planet urbanistike të miratohen në formë elektronike, vetëm në një fazë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)