Kuvend, mungesë kuorumi, dështoi mocioni për Qeverinë
Në mungesë të kuorumit prej 61 deputetëve....

Në mungesë të kuorumit prej 61 deputetëve, opozita nuk arriti të votojë mosbesimin ndaj qeverisë Zaev-2. Mungesa e deputetit të Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, i cili ishte njëri nga 61 nënshkruesit e nismës për mocion ndaj qeverisë, bëri të pamundur që kuvendi të hap seancën dhe të votohet mocioni.
Para mesnate kur edhe skadoi afati për debat rreth kësaj iniciative, kryeparlamentari Talat Xhaferi në prezencën e kryeministrit dhe ministrave e shpalli të mbyllur seancën.
“Për faktin që rendi i ditës nuk është miratuar, nuk mund të hapet debat sipas rregullores rreth iniciativës për votim mosbesimi të qeverisë, ndërkaq duke u bazuar në skadimin e afatit në këtë situatë nuk mbetet gjë tjetër përpos se të konstatojë se qeverisë nuk i është votuar mosbesim dhe mbi këtë qeveria vazhdon me përbërjen e plotë me obligimet që ka.” – u shpreh Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Nga partia e Ahmetit deklaruan se me dështimin e inicijativës për mposhtjen e qeverisë fitoi Maqedonia euroatlantike.
“Nuk arritën fitore forcat regresive të cilat nuk dëshirojnë që Maqedonia të jetë në NATO, nuk duan që Maqedonia të jetë në BE, nuk duan që Maqedonia të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe marrëdhënie të mira midis shqiptarëve maqedonasve dhe bashkësive të tjera. Andaj kjo është një ditë e madhe e fitores së Maqedonisë euroatlanike dhe të barabartë.” – u shpreh Artan Grubi nga BDI.
Por deputetët e VMRO – DPMNE-së lëshuan godinën e kuvendit me akuzat se u shkel demokracia pas rrëmbimit të deputetit Kastriot Rexhepi.
Ata do të kërkojnë përgjegjësi, ndërkaq ripërsëritën kërkesën për zgjedhje të shpejta parlamentare pasi pushteti është jofunksional.
“Ndarja në kuvend është e qartë 60 deputetë VMRO – DPMNE me partnerët dhe 59 deputetë LSDM , BDI dhe një deputet i rrëmbyer dhe shpresoj se së shpejti do të lirohet. Pushteti nuk ka legjitimitet, nuk ka as numra në kuvend dhe mënyra e vetme se si të zgjidhet kjo krizë janë zgjedhjet e shpejta parlamentare.” – u shpreh Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE.
Nga Lëvizja Besa denoncuan në polici zhdukjen e Rexhepit, ndërkohë nga Aleanca dhe Alternativa vlerësuan aktin si jodemokratik.
Por LSDM dhe BDI thanë se përcaktimi i Rexhepit ka qenë personal pasiqë ka orientime properëndimore. Integristët siguruan opozitën për funksionalitetin e qeverisë deri në fund të mandatit pasi presin rritje të shumicës parlamentare. (Meral Ismaili, TVM2)
