Maqedoni
Strugë, kriza energjetike do të prekë sektorin e hotelierisë
13.11.2021 15:54
Kriza energjitike do të jetë një tjetër goditje e madhe për sektorin e hotelerisë...

Objektet e mëdha hotelierike do të preken nga rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë elektrike, por edhe nga kufizimet e mundshme. Nga shoqata e hotelierive thonë se burimet e rinovueshme të energjisë, kolektorët diellorë dhe zgjidhje të tjera alternative që lidhen me energjinë diellore duhet të shqyrtohen menjëherë.
Kjo është thelbësore veçanërisht për rajonin Ohër-Strugë, ku mesatarisht ka rreth 300 ditë me diell në vit.
“Të investohet në energji diellore, fotovoltaikë, panele, kolektorë diellorë, të cilët mund të kënaqin një përqindje të madhe, sidomos në këtë pjesë të rajonit tonë të Ohrit dhe Strugës, 40 deri në 50% e energjisë të jetë me këtë lloj energjie.” Shumica e hoteleve në brigjet e liqenit të Ohrit përdorin energji elektrike, një pjesë e vogël ngrohet me naftë, e shumë të paktë janë hotelet që kanë kolektorë diellorë”, u shpreh kryetari i HOTAM, Kërste Blazheski.
Nga HOTAM thonë se shteti duhet të motivojë dhe të ndihmojë objektet hotelierike për të investuar në përdorimin e energjisë diellore.
“Sigurisht që duhet të ketë subvencione nga shteti, por ka edhe kredi të favorshme që duhet të përdoren në këtë drejtim sepse në afat të gjatë do të na shpëtojë të gjithëve, jo vetëm hotelet por edhe qytetarët”, theksoi Blazheski.
Edhe qytetarët e Strugës kanë reaguar për paraljmërimin e shtrejntimit të energjisë elektrike. Edhe pse një pjesë e madhe nuk preferuan të flisnin para kamerës sonë, ata thonë se pandemia ka sjellë krizë të madhe këto dy vitet e fundit dhe shtrejntimi i energjisë elektrike do të jetë i papërballueshëm për to.
Shumica prej tyre thanë se përdorin dru për ngrohje, por thonë se edhe çmimet e drunjve janë rrit. Kërkojnë edhe rritje të rrogave dhe zgjidhje të situatës ekonomike.
“Kriza energjetike në këtë shtet vjen si pasojë e vjedhjeve dhe manipulimeve që bëhen dhe çdo gjë bie në kurriz të këtij populli, dita ditës populli ik, nuk mund ta siguroj kafshatën e bukës e jo më energjinë elektrike”, thot qytetari.
“Mendoj që nuk duhet të vijë deri tek aty, mos shtrejntohen për ne popullatën, ashtu është më mirë. Ne perdorim nxemje me energji, është më mirë më pastër por shum shtrejnt”, thekson qytetari.
“Nuk është në rregull kshtu sepse bie krizë, nuk ka populli pare. Po si zakonisht përdorim më shumë ngrohje, por edhe druri ka hyp shumë. Nuk osht nrregull kjo që ndodh, as me rrymën as me drunjt, duhet të bien çmimet”, shprehet qytetari.
Energjia diellore njihet si mbrojtës i mjedisit, për shkak se kontribon në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe reduktimin e gazrave të dëmshëm në mjedis.
ILMIJE ZHAKU
