Botë

Dy tërmete të fuqishme godasin Iranin, ka viktima dhe shkatërrim të shtëpive

14.11.2021 19:25

Dy tërmete të forta, më i madhi me magnitudë 6.4, kanë goditur pranë qytetit Bandar Abbas në Iranin Jugor...

Dy tërmete të forta, më i madhi me magnitudë 6.4, kanë goditur pranë qytetit Bandar Abbas në Iranin Jugor, duke shkatërruar një numër shtëpish dhe duke vrarë të paktën një person, thonë zyrtarët lokalë dhe banorët. 
 
Lëkundjet u ndien deri në Dubai, Katar, Bahrein dhe Arabinë Saudite. Tërmeti i parë, i cili u ndie në orën 15:37 (ora lokale) të dielën, ishte përqendruar rreth 64 kilometra në veriperëndim të Bandar Abbasit, kryeqyteti i provincës Hormozgan, ose 278 kilometra në veri të Dubait.
 
Një tërmet i dytë goditi të njëjtën zonë rreth një minutë më vonë, raporton “Bnonews”. Qendra Sizmologjike e Iranit tha se tërmeti i parë kishte një magnitudë paraprake prej 6.4 ballësh, ndërsa i dyti ishte pak më i dobët, 6.3. Të dyja goditën rreth 15 kilometra nën sipërfaqe, duke i bërë tërmete shumë të cekëta.
 
Një numër” shtëpish u shkatërruan në zonën e Bandar Abbasit dhe u raportuan rrëshqitje dheu në malin Geno. Të paktën një person ka humbur jetën pasi u godit nga një shtyllë elektrike që u rrëzua.
 
Lëkundjet u ndien në të gjithë rajonin, duke përfshirë Dubain dhe Abu Dhabin në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe Katar, Bahrein dhe pjesë të Omanit dhe Arabisë Saudite. Nuk pati raportime për dëme serioze në Emiratet e Bashkuara Arabe ose në vendet e tjera fqinje.