Dokumentar për rok grupin "Telex"
Dokumentari "Vitet e Arta me TELEX" do të pasqyrojë për publikun historikun dhe ngritjen e këtij formacioni, i cili kishte bërë bujë në rok skenën muzikore shqiptare....

Rok grupi i njohur shqiptar nga Shkupi, "Telex" dhe veprimtaria e tij janë pasqyruar në një dokumentar i cili do të promovohet të premtën në Shkup.
Ky grup u paraqit në vitet e 80-ta në rok skenën shqiptare dhe gjurmët e tij nuk janë shlyer sot e asaj dite.
Dokumentari titullohet "Vitet e Arta me TELEX" dhe përveç promovimit të tij do të ndahen edhe mirënjohje atyre që me bashkëpunimin ndihmuan grupin në mënyra të ndryshme gjatë karierës 35-vjeçare.
Promovimi do të mbahet në Qendrën Informative Kulturore në Shkup, më 19 dhjetor prej orës 19:00.
Telex ishte një grup i të rinjve entuziastë nga Shkupi që përbëhej nga Seat Jakupi, solist, kitarë elektrike dhe kompozitor, Shpend Ahmeti - autor i teksteve, daulle dhe vokal përcjellës, Enver Bunjaku bas kitarë, piano dhe vokal përcjellës, Ismet Shahini solo kitarë elektrike dhe vokal përcjellës, Idaver Xhemaili daulle dhe perkusion, Ylli Ismaili në instrumente me klavijaturë e pak me vonë grupit i bashkangjitet edhe Bekim Ajdini në bas kitarë dhe instrumente me klaviaturë.
Që nga viti 1982 për një kohë të gjatë ata do të jenë mbretër të rok muzikës shqiptare. "Telex"-i do të jetë në krye të të gjitha top listave, ndërkaq e veçanta e këtij rok ansambli është turneu i përbashkët me grupin e famshëm sarajevas "Bijelo Dugme".
Në vitin 1981/1982 incizuan këngët e para në studion e re të RTV Shkupit, e që atëbotë këtë privilegj mund ta kishin vetëm artistët e dalluar. Me këngët e para treguan cilësitë e larta që posedonin dhe se suksesi që do t’i përcjellë më vonë nuk do të ishte i rastësishëm. Në vitet 1982 dhe 1983 në valët e RTV të Prishtinës u zgjodhën grupi i vitit.
Një këngë e shkruar nga Telex-at për grupin "Bijelo Dugme" do të bëhet hit i madh në Jugosllavinë e atëhershme, kështu që me paraqitjen e tyre në koncertet e përbashkëta Telex-at do ta fitojnë respektin e merituar edhe në suazat e skenës jugosllave.
Në vitin 1984 fituan Mikrofonin e Artë. Pasuan koncerte të shumta në Kosovë, Maqedoni dhe më gjerë. Një vit më vonë u editua kaseta e parë në produkcion të RTP-së, e cila u shit në një tirazh mjaft të madh që në atë kohë ishte dhe i paarritshëm për shumë artistë.
