Maqedoni
Mbi 350 persona me honorare, Kasami: Të ndërpriten kontratat në vepër
16.11.2021 13:46
Të enjten do të mbahet edhe mbledhja konstituive e Këshillit...

Të enjten do të mbahet edhe mbledhja konstituive e Këshillit. Paraprakisht, kreu i Tetovës, Bilall Kasami, prezantoi 30 pikat e planit për 100 ditëshin e parë të mandatit të tij. Ndër më kryesoret që, sipas tij, kërkon zgjidhje imediate, është administrata e stërngarkuar. Paralajmëroi kontroll të 350 kontratave në vepër mes të cilëve ka edhe persona që nuk kanë shkuar asnjë ditë në punë.
“Vendimi im është që të gjitha kontratat të ndërpriten dhe shërbimet po bëjnë analiza nëse ato kontrata janë realizuar dhe nëse pagesat për ato kontrata janë sipas ligjit. Për gjithçka që është paguar në kundërshtim me ligjin, do të kërkoj ato mjete të kthehen në buxhetin e komunës.”,- tha kryetari i komunës së Tetovës, Bilal Kasami.
Kasami paralajmëron revizion: Ka shkelje në afate dhe procedura të tenderimit
Në lidhje me raportin e punës së komunës, Kasami tha se borxhi komunal dyshohet të jetë mbi 20 milion euro, e se janë vërejtur edhe shkelje ligjore të afateve dhe shkelje të procedurave të tenderimit. Theksoi se brenda një kohe të shkurtë do të publikohet revizioni për punën e deritanishme të komunës.
“Shkeljet janë ligjore për shkak se sipas informatave paraprake të cilat i kemi dhe presim që t`i konfirmojmë, bëhet fjalë për shkelje të afateve ligjore të Kodit Zgjedhor, që nënkupton mosnisjen e punimeve brenda afatit ligjor, por ka edhe shkelje të procedurës së tenderimit.”,- theksoi Kasami.
Sa i përket parkimit zonal, ai tha se është duke analizuar situatën në ndërmarrjen Parkingu i qytetit dhe nuk përjashtohet opsioni i likuidimit të ndërmarrjes. Paralajmëroi edhe se shtigjet e biçikletave do të largohen. Kasami premtoi se pas konfirmimit të borxhit të komunës, të dhënat do t’i publikojë në ueb-faqen e komunës dhe në vende publike. Njoftoi ndërkohë se komuna nuk ka para për zbukurim të qytetit dhe organizim të festave për Vitin e Ri.
VISAR SADIKI
