Maqedoni

Komisioni për Anti-korrupsion, iniciativë për vepër penale për ish ministrin Ismaili

16.11.2021 15:13

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ka ngritur iniciativë deri tek Prokuroria Publike për Ndjekje Penale...

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ka ngritur iniciativë deri tek Prokuroria Publike për Ndjekje Penale të ish ministrit të kulturës, Husni Ismaili. Në bazë të dokumentacionit të siguruar ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare lidhur me kontraktimin e marrëveshjeve dhe aneks marrëveshjeve lidhur me konkurset vjetore për financimin e projekteve në interes kombëtar. Me këtë veprim, Ismaili ka dëmtuar buxhetin e shtetit duke kontraktuar marrëveshje me shuma më të larta nga ajo e parapara në buxhet, gjegjësisht në bazë të ribalancit të buxhetit në nëntor të vitit 2020 vlera e mjeteve të shpenzuara ka qenë 77% më shumë nga e parapara. Ismaili ka kryer detyrën e ministrit të kulturës nga 27 qershori 2019 deri më 30 gusht 2020.
 
“Ministri ka marrë obligime për të cilat nuk janë siguruar mjete në buxhetin për programet adekuate për vitin 2020. Nga dokumentacioni i dorëzuar gjithashtu Komisioni për Anti-korrupsion mund të konstatojë se në kundërshtim me këto dispozita, ministri edhe pse ka pasur në dispozicion 159 milion denarë në buxhetin për vitin 2020, gjegjësisht 137 milion e 600 mijë denarë, me rebalancin e 15 nëntorit të vitit 2020 ka marrë obligime në vlerë prej 110 milion e 600 mijë denarë për të cilat nuk janë ndarë mjetë në buxhet.”,- tha anëtari i Komisionit për Anti-korrupsion, Vlladimir Georgiev.
 
Ivanovska: Të shqyrtohen veprimet e gjykatësve e prokurorëve
 
Ndërkohë, kryetarja e Komisionit, Biljana Ivanova, publikisht kërkoi nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve të shqyrtojnë veprimet e gjykatësve dhe prokurorëve, ku gjykohet për fatkeqësi komunikacioni me pasoja të rënda dhe viktima. Nga KPPK theksojnë se janë pikërisht dënimet e ulëta ato që hapin dyshime se ka korrupsion.
 
“Presim që këto organe në mënyrë serioze të punojnë me veprimet e gjykatësve dhe prokurorëve posaçërisht me rastin e fundit me të akuzuarin Kiçec ku u shqiptua dënim shumë i ulët pas marrëveshjes së prokurorit me të akuzuarin edhe atë nën minimumin e paraparë me ligj për vepër të rëndë penale me pasoja vdekjen.”,- tha kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanova.
 
Në strategjinë nacionale për luftë kundër korrupsionit mosdënimi është i njohur si një nga faktorët kyç të rrezikshëm për korrupsion në jurisprudencë.


FLORIJE BELULI