Botë
Akuza për pastrim parash, plas sherri në Kuvendin shqiptar
16.11.2021 15:47
Një akuzë e zakonshme degradoi deri në tentativë për përplasje fizike në parlamentin e Shqipërisë...

Deputeti demokrat i tha ish-zëvendëskryeministrit se ka dalë në përgjimet italiane për pastrimin e parave të Cosa Nostras, çka shkaktoi përplasje dhe ndërprerjen e seancës. Pas disa minutave ndërprerje të seancës, Braçe iu përgjigj me qetësi Salianjit.
“Në këtë sallë ka shpifës të dënuar nga gjykata dhe joshpifës, por komplotues në kurriz të nderit të njerëzve. Dokumenti i përgjimit të Rezat Taçit mban datën 18 tetor 2021, unë e zotëroj të plotë dhe atëherë unë nuk kam qenë zëvendëskryeministër. Ka njerëz që paguhen për të shpërndarë akuza sa te njëri te tjerët dhe do jua provoj që paguhen me cash. O e kam denoncuar unë ARMO-n, o s'ka fol njëri në këtë sallë dhe madje e kam kallëzuar edhe në prokurori. Aty e keni armon varr të hapur të një korrupsioni politike. Unë skam folur kurrë me Taçin dhe as jam takuar kurrë me atë njeri.”,- tha deputeti i PS-së, Erion Braçe.
Por, Salianji nuk u mjaftua me kundërpërgjigjen e ish zëvendëskryeministrit, por vijoi akuzat se pjesëtarët e kabinetit qeveritar janë pjesë e përgjimeve të anti-mafias italiane.
“Deputeti juaj turret për të ardhur në foltore ndërkohë që po flas, nuk e di pse të djeg aq shumë pyetja ishte e thjeshtë...Pse të djeg? A është zëvendëskryeministri dhe ministrja e Financave në përgjimet e prokurorisë italiane apo jo? A është parafolësja ajo që flet dhe bën si e Shenjta Mari kjo duhet parë. Por nëse është parafolësi që përflitet për para cash, këtë ua provoj edhe tek foltorja tjetër. Dhe meqë jeni për gjykatë ua provoj. Nuk është personale, pse e merr personale!”,- tha deputeti i PD-së, Ervin Salianji.
Kuvendi vendosi marrjen e masës ndëshkimore tërheqje vëmendje ndaj Salianjit, gjë që u kundërshtua nga deputetët e grupit parlamentar demokrat.
LULJETA NDOKA
