Maqedoni
Proceset gjyqësore, Abazi: Gjyqësori me rol të dyfishtë
16.11.2021 16:10
Aleanca për Shqiptarët kritikon qasjen e ministrit të drejtësisë, Bojan Mariçiq...

Aleanca për Shqiptarët kritikon qasjen e ministrit të drejtësisë, Bojan Mariçiq, në profilin e tij në facebook për aksidentin në Ohër, duke kërkuar rishqyrtimin e lëndës ku ndërruan jetë dy të rinj, ndërkohë që ka heshtur për dënimin e shqiptuar për aksidentin e shkaktuar nga i dënuari për rastin “Reket”, Zoran Kiçeec. Sipas nënkryetares së ASH-së, Bujare Abazi, ministri ka qasje të dyfishtë dhe kërkon përgjigje nga ai se përse nuk reagoi për dënimin e shqiptuar ndaj Kiçeec ku ndërroi jetë një qytetar i Gostivarit.
“Jemi këtu para Ministrisë së Drejtësisë për të pyetur ministrin a thua jeta e të riut nga Gostivari nuk kishte asnjë vlerë për të dhe pse nuk reagoi edhe në rastin në fjalë. Vlera e jetës suaj në këtë shtet është zero si qytetarë të zakonshëm, derisa për persona si Zoran Kiçeec janë të mbrojtur edhe për vepra të këtilla nga ana e drejtësisë por edhe nga ana e qeverisë.”,- tha nënkryetarja e ASh–së, Bujare Abazi.
Mariçiq paralajmëron përmirësim të ligjeve
Ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq, sot ka thënë se do të iniciojë debat në kuadër të grupeve të punës për të përmirësuar vendimet ligjore, me qëllim që të mos ketë keqpërdorime gjatë marrjes së vendimeve, si dhe do të analizohen vendimet e marra për aksidentet e shkaktuara kohët e fundit në trafik. Ligjërisht për herë të parë në Kodin Penal do të vendoset edhe vepra penale “Drejtimi i pakujdesshëm i një automjeti” me dënim me burg deri në katër vite nëse në aksident ka edhe të vdekur.
Në aksidentin në rrugën Ohër-Peshtani në gusht të vitit të kaluar, ku ndërruan jetë dy persona, ndërkaq tre të tjerë u lënduan rëndë Gjykata Themelore e Ohrit shoferit që shkaktoi aksidentin, i shqiptoi dënim me kusht prej katër viteve dhe gjobë prej 3 mijë eurove. Në aksidentin që shkaktoi Kiçeec në rrugën Ohër–Kërçovë, u dënua me gjashtë muaj burg.
MERAL ISMAILI
