Dilemat rreth shumicës parlamentare, Bytiqi paralajmëron qeverinë “Zaev 3”
Zëvendëskryeministri, Fatmir Bytiqi, ka paralajmëruar formimin e qeverisë.....

Zëvendëskryeministri, Fatmir Bytiqi, ka paralajmëruar formimin e qeverisë “Zaev 3”. Pretendon se shumica parlamentare do të rritet dhe se do të ndërrohen gjashtë deri në shtatë ministra të përbërjes aktuale të Qeverisë.
“Konsideroj se së shpejti do të fitojmë Qeverinë “Zaev 3″, sërish të udhëhequr nga Zaevi, pasi do të ndërrohen gjashtë – shtatë ministra.”,- ka thënë Bytyqi për “Utrinski brifing”.
Alternativa shqyrton ftesën e Zaevit
Nuk saktësohet se kush mund të jetë partneri i ri në qeveri, por dihet se Alternativa do ta shqyrtojë ftesën e kryeministrit Zaev për t’u bërë pjesë e ekzekutivit.
“Vendimi pritet të merret më 23 nëntor, në kryesinë qendrore të partisë.”,- ka deklaruar Zekirija Ibrahimi për Plusinfo.
LSDM njofton se shumica do të rritet
Edhe grupi parlamentar i LSDM-së paralajmëron rritjen e shumicës parlamentare, por pa dhënë detaje për subjektin apo deputetët që mund të ndërrojnë krahun.
“Mos të spekulojmë me numra, por shumica do të rritet. Tani diskutojmë buxhetin për vitin 2022 dhe kur të vjen në seancë plenare do të shihni se me çfarë shumice disponojmë.”,- u shpreh deputetja e LSDM-së, Bisera Kostadinoska Stojçeska.
VMRO kërkon zgjedhje të parakohshme
Mirëpo, VMRO-DPMNE konsideron se kjo qeveri është delegjitimuar, prandaj kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Nëse numrat në Kuvend mbeten 60 me 60, s’ka asgjë tjetër logjike dhe racionale veç zgjedhjeve të parakohshme të shpejta parlamentare. Pushteti në zgjedhjet e fundit u delegjitimua. Thelbi mbetet në atë që kryeministri Zaev dhe e gjithë qeveria janë në dorëheqje të paralajmëruar.”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ljupço Prenxhov.
Nga 11 nëntori proporcionet mes shumicës dhe opozitës në Kuvendin republikan ndryshuan, përkatësisht u barazuan pasi dy nga tre deputetët e Lëvizjes BESA mbetën në qëndrimin për rrëzimin e Qeverisë “Zaev 2”, ndërsa deputeti Kastriot Rexhepi ndryshoi mendje.
Vendimi i këtij të fundit krijoi një rast të llojit të vet ku as pushteti s’ka shumicën e domosdoshme prej 61 deputetë dhe as opozita s’i ka këto numra për të formuar shumicë të re. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
