Propozim-buxheti 2022, KSHPK: Kemi nevojë për 6 milion denarë
Në Komisionin për Financa dhe Buxhet...

Në Komisionin për Financa dhe Buxhet ka vazhduar debati mbi projekt-buxhetin për vitin 2022. Në kuadër të debatit të përgjithshëm nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kërkuan gjashtë milionë denarë shtesë nga buxheti i shtetit për të mbuluar shpenzimet e nevojshme të Komisionit. Siç sqaroi Katica Nikolovska, tre janë për shpenzime kapitale, ndërsa pjesa tjetër për shlyerjen e shpenzimeve themelore, rrymë, ujë dhe pastërti.
“Kërkojmë nga ju që ta mbështesni këtë kërkesë të KSHPK-së dhe me amendament të miratoni gjashtë milion denarë shtesë nga të cilat nga të cilat tre milion për shpenzime kapitale, përkatësisht për licencat e nevojshme për zgjidhjet souftverike dhe tre milion e 543 mijë denarë për rritjen e shkallës së shërbimeve për të mbuluar shpenzimet bazë për energjinë elektrike, ujësjellësin dhe pastrimin.”,- tha zëvendëskryetarja e KShPK-së, Katica Nikollovska.
Besimi: Me rëndësi të funksionojë KShPK
Ministri i Financave Fatmir Besimi u dakordua me kërkesën. Sipas tij nuk është e diskutueshme nëse do të shtohen edhe ata tre milionë denarë, sepse është e rëndësishme që KShPK të funksionojë.
“Edhe nëse nuk ka amendament, nëse shtrohet nevoja mund ta vendosim direkt në lexim të dytë. Nuk diskutohet nëse ato tre milionë denarë do të shtohen për punë, e rëndësishme është që institucioni të funksionojë.”,- theksoi ministri i financave, Fatmir Besimi.
VMRO-DPMNE: Duket mosbashkëpunimi i Qeverisë me KShPK-në
Edhe LSDM dhe VMRO-DPMNE u dakorduan por paraprakisht u përplasën me qëndrimet e tyre.
“Më vjen keq që u pa mosbashkëpunimi i këtij komisioni me Qeverinë, sepse po të kishin bashkëpunuar do të zbatoheshin kërkesat e Komisionit në krijimin e buxhetit. Është gjithashtu për të ardhur keq që anëtarët e KShPK-së ankohen dhe kërkojnë mjete shtesë, e derisa gjithë shteti flet se lufta kundër korrupsionit është prioriteti numër një.”,- u shpreh Eli Panova nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Nuk ka nevojë për dramatizim
“Ky amendament apo kërkesë do të bashkëngjitet dhe të gjithë së bashku si amendament të komisionit dhe nuk ka nevojë për pamflete politike dhe nuk ka fare lidhje me atë çfarë tha përfaqësuesja e nderuar nga KShPK.”,- theksoi Dime Velkovski nga LSDM.
Buxhetin që Qeveria ka dorëzuar në Kuvend planifikon të mbledhë 3.9 miliardë euro në arkën e shtetit vitin e ardhshëm, por në të njëjtën kohë të shpenzojë 4.4 miliardë euro. Deficiti buxhetor për vitin 2022 do të kalojë 500 milionë euro. (Naim Ramadani, TVM2)
