Botë

Rihapet për të vaksinuarit sheshi i famshëm i Nju Jorkut, Times Square

17.11.2021 11:29

Kryebashkiaku Bill de Blasio njoftoi të martën se turmat e njerëzve do të mbushin sërish sheshin Times Square, por ata që duan të ndjekin nga afër traditën e mirënjohur të zbritjes së sferës, natën e ndërrimit të viteve, duhet të vërtetojnë që janë vaksinuar ndaj COVID-19-ës...

Kryebashkiaku Bill de Blasio njoftoi të martën se turmat e njerëzve do të mbushin sërish sheshin Times Square, por ata që duan të ndjekin nga afër traditën e mirënjohur të zbritjes së sferës, natën e ndërrimit të viteve, duhet të vërtetojnë që janë vaksinuar ndaj COVID-19-ës.

"Po njoftojmë me krenari se festimet e mrekullueshme në Times Square, ulja e sferës dhe gjithçka tjetër do të rikthehet plotësisht siç jemi mësuar ta shohim e ta duam", tha zoti de Blasio gjatë një seance informimi virtual. "Më në fund mund të mblidhemi sërish së bashku. Do të jetë e mrekullueshme".

Tom Harris, president i Aleancës për sheshin Times Square, tha se të gjithë spektatorëve nga mosha 5 vjeç e lart do t'u kërkohet të vërtetojnë se janë të vaksinuar. Njerëzit që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore do të duhet të paraqesin një test COVID-i me rezultat negativ, tha ai.

Festimet e Vitit të Ri janë ndoshta aktiviteti më i mirënjohur i qytetit të Nju Jorkut. Vitin e kaluar, gjatë kulmit të pandemisë ato u zhvilluan në distancë. Në shesh nuk pati turma të zhurmshme të mbushura me pjesëmarrës që qëndronin ngjitur me njëri-tjetrin.

Përkundrazi, rrugët ishin përgjithësisht të boshatisura, pasi zyrtarët u kishin thënë njerëzve të qëndronin në shtëpi dhe ta shikonin sferën nëpërmjet televizorit. Personazhet e njohura të skenës, si Jennifer Lopez, u shfaqën pas barrierave të policisë dhe në prani të vetëm disa grupeve të vogla të përbëra nga punonjës të vijës së parë të frontit.