Maqedoni

Sindikata progresive e arsimit: Mësuesit të vendosin për mësim online apo fizik

17.11.2021 13:28

Sindikata Progresive për Arsim, kërkon që MASH të lejojë që nga 1 dhjetori deri më 31 mars...

Sindikata Progresive për Arsim, kërkon që MASH të lejojë që nga 1 dhjetori deri më 31 mars arsimtarët vetë të vendosin nëse mësimin do e mbajnë online apo me prani fizike. Këtë kërkesë e bazojnë në sezonin e dimrit që sjell gripat sezonale, përkeqësimin e gjendjes me Covid-19 dhe krizën e pritshme energjetike. Sipas SPA, nëse situata me pandeminë përmirësohet, nxënësit mund të kthehen në shkollë në tremujorin e fundit dhe të përfundojnë me sukses vitin shkollor 2021/22.
 
Carovska: Situata stable, mësimi vazhdon me prani fizike
 
Por, ministrja Carovska thotë se situata është stabile, mbi 75% e mësimdhënësve janë të vaksinuar e numri i rasteve pozitive dhe aktive në shkolla është nën 1%. Prandaj  mësimi do vazhdojë të mbahet me prani fizike. Nëse gjendja ndryshon, janë gati skenarët e tjerë.
 
“Si vitin e kaluar, edhe këtë vit po e monitorojmë situatën në baza ditore. Prandaj, për sa kohë që situata me KOVID-in të jetë stabile në shkolla, ne do të propozojmë modelin me prani fizike. Nëse Komisioni për Sëmundjet Infektive dhe Ministria e Shëndetësisë paralajmërojnë se ka kërcënime të tjera për shëndetin e nxënësve në lidhje me COVID, atëherë, natyrisht, do të marrim masa të tjera dhe do të diskutojmë skenarë të tjerë.”,- deklaroi ministrja e arsimit dhe shkencës, Milla Carovska.
 
Carovska potencoi se në interesin më të mirë të nxënësve është që shkollat të mbeten të hapura. 
 
SEDAT SELIMI