Botë
Tensione të reja në kufirin me Bjellorusinë, përleshje mes forcave polake dhe emigrantëve
17.11.2021 13:55
Janë rritur sërish tensionet në kufirin me Poloninë, ku emigrantët e bllokuar në Bjellorusi u përleshën me ushtarët polakë.....
Janë rritur sërish tensionet në kufirin me Poloninë, ku emigrantët e bllokuar në Bjellorusi u përleshën me ushtarët polakë. Emigrantët tentuan të kalonin kufirin duke hedhur gurë e sende të forta drejt rojeve të armatosura rëndë, ata u kundërpërgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës.
“Janë përdorur gurë të mëdhenj, shishe, shkopinj, shufra metalike, mjete shpërthyese dhe gaz lotsjellës. Si pasojë e këtyre incidenteve janë plagosur nëntë policë, 2 kufitarë dhe 1 ushtar.”,- tha zëdhënësi i shtabit të përgjithshëm të Policisë polake, Mariusz Ciarka.
Emigrantët ankohen për lojërat që luhen në kurriz të tyre.
“Nuk e dimë se ku po shkojmë. Ne jemi si një top në stadium ku Bjellorusia dhe Polonia po na shutojnë.”,- theksoi një migrant.
Kriza e emigrantëve detyroi BE-në të vendosë sanksione të tjera kundër Bjellorusisë, të cilën e akuzon për përpjekje për të destabilizuar bllokun, duke shtyrë emigrantët përtej kufirit në mënyrë ilegale.
“Ata mohojnë çdo përgjegjësi për këtë çështje kur ne të gjithë e dimë se si migrantët arritën atje. Çfarë kërkojnë ata? Për t'iu përgjigjur sanksioneve me atë që tani quhet në Bruksel, njëlloj agresioni hibrid: Nuk është luftë, por nuk është as paqe, është një situatë ndërmjetëse ku përdor çdo gjë për ta kthyer atë në armë. Është për të ardhur keq për gazin. Por, kthimi i qenieve njerëzore në një lloj predhash të gjalla që godasin kufirin është diçka ndaj së cilës komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë.”,- deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e sigurisë, Josep Borell.
Shumë shtete janë kontaktuar që të hedhin poshtë lajmet e rreme se ka një rrugë të hapur drejt Europës përmes Bjellorusisë dhe BE paralajmëron edhe zgjerim të sanksioneve, përfshirë edhe masa kufizuese për individët dhe organizatat që ndihmojnë emigrantët të mbërrijnë në kufirin polako-bjellorus.
GAZMEND KURTISHI
