Maqedoni
Propozim buxheti 2022, Qeveria: Më shumë para për investime kapitale.
17.11.2021 14:43
Karakteristikë kryesore e Buxhetit për vitin 2022 është komponenti zhvillimor me sigurimin e pandërprerë të funksioneve të shtetit...

Karakteristikë kryesore e Buxhetit për vitin 2022 është komponenti zhvillimor me sigurimin e pandërprerë të funksioneve të shtetit dhe mbështetje për rimëkëmbje dhe zhvillim ekonomik të përshpejtuar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, thonë nga Qeveria. Investimet kapitale janë planifikuar në shumë prej 37.8 miliardë denarë, apo rreth 27% më shumë në raport me vitin 2021.
“Buxheti për vitin 2022 ka katër qëllime themelore: Ruajtjen e shëndetit dhe jetëve të qytetarëve, rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e përshpejtuar, qëndrueshmërinë fiskale dhe financimin e pandërprerë të funksioneve themelore të shtetit dhe mbështetjet për reformat në gjyqësor dhe në integrimet euro-atlantike, BE-në dhe NATO-n.”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
E diela - ditë jopune, Hoxha: Presim kuvendi t’i miratojë ndryshimet
Qeveria po përgatit ndërkohë edhe ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës që përcakton të dielën si ditë pushimi javor.
“Me këtë Propozim-ligj mundësohet që mbi 92% e të punësuarve të pushojnë të dielën dhe me këtë të krijojnë baraspeshë mes jetës private dhe asaj profesionale. Ndryshimet parashikojnë së paku 50% mëditje më të lartë dhe ditë të lirë, për ata që do të punojnë të dielave.”,- theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Ekzekutivi pret që këto ndryshime të miratohen në Kuvend, sepse janë në drejtim të avancimit të të drejtave të punëtorëve.
LEUNORA KALIQI
