Ekonomi

Bekteshi: Buxhet zhvillimor që mundëson rimëkëmbje ekonomike

17.11.2021 14:57

1.24 miliard denarë është parashikuar të jetë buxheti i Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2022....

1.24 miliard denarë është parashikuar të jetë buxheti i Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2022. Karakteristikë e këtij buxheti, sipas ministrit Bekteshi, është komponenta zhvillimore, e cila do të mundësojë rimëkëmbje ekonomike. Më shumë mjete, apo 733 milion denarë, do të shkojnë për shpenzime kapitale. Për paga dhe kontribute do të ndahen 151 milion denarë. Për subvencione janë paraparë 214 milion denarë, ku edhe në vitin 2022 do të mbështeten ndërrimi i dritareve të vjetra me PVC si dhe instalimi i kolektorëve diellorë. 
 
“Edhe vitin e ardhshëm, Ministria e Ekonomisë do të mbulojë një pjesë të shpenzimeve për kolektorë të blerë dhe të instaluar të diellit për amvisëritë, për zëvendësimin e dritareve me ato PVC apo të aluminit për amvisëritë si dhe blerjen e furrave me peleta për amvisëritë. Mjete plotësuese për vitin e ardhshëm janë dedikuar edhe për mbështetje financiare për prodhimin e energjisë elektrike nga prodhuesit e autorizuar që shfrytëzojnë premi.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Mjete do të ndahen edhe për promovimin e turizmit vendor dhe për zhvillim të kompanive. 
 
“Vitin e ardhshëm 2022 është rritur buxheti i Ministrisë së Ekonomisë për subvencionet të cilët kanë të bëjnë me ndërmarrjet private, me çka është parashikuar 20.8 milion denarë. Por, është me rëndësi të theksohet fakti se do të përfundojë procesi i miratimit të strategjisë sa i përket strategjisë së mençur, i cili ka qenë edhe një obligim që plotësohet nga ana e Ministrisë së Ekonomisë në rritjen e konkurrueshmërisë.”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Bekteshi gjithashtu njoftoi se në programin për uljen e ndotjes është parashikuar të ketë subvencione për instalimin e aparateve të gazit në automobila, apo adaptimin e tyre me lloj tjetër të derivateve alternative. 
 
ERSAN PAJAZITI