Konstituohet Këshilli i Qytetit të Shkupit, Sllaveski kryetar, pa votat e BDI-së dhe LSDM-së
U konstituua Këshilli komunal i qytetit të Shkupit....

U konstituua Këshilli komunal i qytetit të Shkupit. Kryesues i tij me 26 vota “Për” u zgjodh Trajko Sllaveski nga VMRO-DPMNE. Ai premton jo vetëm mbështetje për kryetaren e re të kryeqendrës, por edhe se do jenë korrektorë të çdo vendimi të saj. Arsovska pret bashkëpunim.
“Këshilli i Qytetit të Shkupit do të japë mbështetjen e kryetares së re të Qytetit të Shkupit, mirëpo njëkohësisht do të jetë edhe kontrollor i saj dhe të punës së Ndërmarrjeve Publike dhe institucioneve tjera nga fusha e arsimit, kulturës, mbrojta sociale, të cilët janë nën kompetencat e Qytetit.”,- tha kryetari i Këshilli të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski.
“Besoj se profesionalizmi juaj i treguar më herët do të kontribuojë shumë për të ngritur cilësinë e punës së Këshillit të Qytetit dhe do të punojmë për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve. Uroj që gjatë katër viteve të ardhshme të kemi bashkëpunim të mirë.”,- u shpreh kryetarja e Qytetit të Shkupit, Daniela Arsovska.
E Majta e PLD-RDM votojnë pro: Mbështetëm Sllaveskin, do jemi opozitë në Shkup
Edhe pse këshilltarët e PLD-RDM-së dhe ata të Së Majtës votuan pro Sllavevskit, thanë se në 4 vitet e ardhshme do jenë opozita në këshill, bashkë me LSDM-në dhe BDI-në.
“Kjo ishte mbështetje për të zgjidhur kryetarin e ri të Këshillit të Qytetit dhe kjo nuk do të thotë koalicionim i sa hershëm ose shumicë e qëndrueshme në Këshillin e Qytetit.”,- u shpreh këshilltari i Së Majtës, Hatkan Rexhep Ismaili.
“Ne nuk do të jemi në koalicion me shumicën e këshillit. Arsyeja e vetme pse votuam “për” Trajko Sllaveski ishte për të treguar se ne jemi për të pasur një këshill konstruktiv dhe votuam me bindjen tonë personale se Sllaveski është person me integritet, ku mendojmë se ai do t’i përfaqësojë të gjithë këshilltarët njësoj.”,- theksoi Teodora Krstevska nga PLD-RDM.
“Grupi i këshillit të LSDM-së në Qytetin e Shkupit do të jetë opozitë dhe në këtë drejtim do të angazhohemi të jemi sa më konstruktiv, do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet juridike të iniciojmë të realizohen disa projekte të cilat më kanë filluar të realizohen…”,- theksoi këshilltarja e LSDM-së, Ljubica Jançeva.
Këshilli i Qytetit të Shkupit ka 45 vota, për të pasur shumicën nevojiten 23 këshilltarë. Në Këshillin e ri, VMRO-DPMNE ka 18 këshilltarë, LSDM 12, BDI 5, e Majta 4, ndërsa nga dy vende të këshilltarëve kanë ASH-AAA, PLD/RDM dhe OJQ “Qyteti i gjelbër human”. (Rexhep Qamili, TVM2)
