Çmimi i energjisë elektrike, Bekteshi: Herët të flitet, presim ofertën nga EVM
Do të kërkohet përgjegjësi nga ata të cilët nuk do të plotësojnë....

Do të kërkohet përgjegjësi nga ata të cilët nuk do të plotësojnë planet që kanë dorëzuar në qeveri për sa i përket prodhimit të energjisë elektrike deri në fund të vitit, theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Tha se po bëhen përpjekje të vendoset në funksion blloku shtesë në REK Manastir.
E përderisa po bëhen përpjekjet për tu furnizuar me energji elektrike, ende nuk dihet se cili do të jetë çmimi i energjisë elektrike gjatë vitit të ardhshëm.
EMV nuk ka dorëzuar ofertë deri te EVN Home, e Bekteshi thotë se presin ofertën e EMV-së e pastaj për çmimin do të vendosë qeveria.
“Është shumë herët të flitet për çmimin edhe pse atë e bën KRE-ja. Për momentin ajo është 36.1 euro për megavat orë të cilën EMV e jep deri te EVN Home, në përputhje me ligjin për energjetik. Deri në fund të këtij viti ne si Qeveri do të duhet të marrim vendim për formimin e çmimit. Deri në këtë moment nuk kemi asnjë ofertë nga ana e EMV-së. Jemi në pritje të analizave të EMV-së dhe në momentin kur ajo të dorëzohet në Qeveri, ne si Qeveria do të vërtetojmë dhe përcaktojmë çmimin e energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël për gjashtë muajt e ardhshëm.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Rritja e çmimeve të produkteve, Bekteshi: Ka rritje, por janë rritur edhe pagat
Qeveria nuk vlerëson ndërkohë se në këtë moment duhet të ndërhyjë me ngrirje të çmimeve për të zbutur rritjen e çmimeve në treg. Edhe pse gazetarët i treguan se shporta mujore është shtrenjtuar për 1 mijë denarë, Bekteshi u kundërpërgjigj se edhe rrogat janë rritur.
“Duhet të kemi parasysh rritjen e pagave dhe të bëjmë një krahasim të ndikimit. Tashmë jemi duke bërë të gjitha analizat, në momentin që parashikojmë se mund të ketë goditje çmimesh, do të informojmë publikun në kohën e duhur. Për momentin nuk kemi të dhëna të tilla që kjo mund të ndodhë.”,- theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi siguroi se kur të jetë nevojë qeveria do të merr vendim për ngrirjen e çmimeve, njësoj si edhe para një viti. (Ersan Pajaziti, TVM2)
