Maqedoni

Ministri austriak Linhart: Bisedimet me RMV-në të fillojnë në dhjetor

18.11.2021 11:32

Austria me kërkesë deri tek institucionet e Bashkimit Evropian...

Austria me kërkesë deri tek institucionet e Bashkimit Evropian: Në dhjetor të fillojnë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Këtë e theksoi ministri federal austriak për çështje evropiane, Mihael Linhart, në takim me shefin e diplomacisë, Bujar Osmani. Linhart vlerëson se qytetarët e këtyre dy vendeve meritojnë standarde evropiane në vendet amë. Sipas tij, Ballkan Perëndimor stabil do të thotë qëndrueshmëri edhe brenda BE-së.
 
“Angazhohemi dhe vazhdojmë  të bëjmë më të mirën që qysh në dhjetor të fillojnë bisedimet me Maqedoninë e Veriut. Kjo është kërkesa jonë dhe këtë kërkesë e parashtrojmë para partnerëve tanë evropian dhe atë në mënyrë intensive. Përveç këtyre negociatave angazhohemi që vendet e Ballkanit Perëndimor sa më ngushtë të lidhen me BE-në. Për këtë arsye kërkojmë nga BE hapa konkret… Duam që qytetarëve të Ballkanit Perëndimor t'ju japim perspektivë evropiane.”,- tha ministri federal për çështje evropiane në Austri, Mihael Linhart.
 
Osmani: BE është e gatshme, çelësi në duart e Bullgarisë
 
Zhbllokimi për Maqedoninë e Veriut do të thotë zhbllokim i aspiratave integruese për tërë rajonin,  thotë ministri Osmani, por shteti  ynë sipas tij varet direkt nga zhvillimet në Bullgari, nëse atje deri në dhjetor do të  kemi qeveri politike që do të merr vendime legjitime. 
 
“Unë shpresoj të jetë dhjetori mirëpo dhjetori do varet nga ajo a do të mundet  Bullgaria të ketë  qeveri politike për të marrë vendime. Ajo çka pash në Bruksel,  te  26 vende anëtare të BE-së ka një bindje të fuqishme se dhjetori duhet të jetë momenti kur duhet të fillojnë bisedimet… edhe në institucionet e BE-së pash përkushtim se dhjetori do të jetë data. A do jetë dhjetori dy javë më vonë, një javë më herët ose një muaj më vonë, do varet prej asaj kur Bullgaria do të ketë qeveri në vend.”,- u shpreh ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Diplomati austriak Linhart, u takua edhe me kryetarin e shtetit, Stevo Pendarovski, dhe zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU