Botë

Bjellorusia nis evakuimin e migrantëve, dakordohen negociata Minsk-Brukselit

18.11.2021 13:35

Situata në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë duket më e qetë pasi forcat bjelloruse të sigurisë filluan të evakuojnë...

Situata në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë duket më e qetë, pasi forcat bjelloruse të sigurisë filluan të evakuojnë me autobusë emigrantët që prisnin prej disa ditësh. Situata u përkeqësua dje kur rojet kufitare polake ndërhynë me ujë dhe gaz lotsjellës kundër emigrantëve që gjuanin me gurë në anën bjelloruse. Komisioni Evropian konfirmoi se do të ketë “bisedime teknike” me Minskun për kthimin në vendet e tyre të emigrantëve.
 
Bjellorusia ka rënë dakord të organizojë “negociatat” me Brukselin për zgjidhjen e krizës së emigrantëve në kufijtë e BE-së, pas një bisede telefonike mes presidentit Alexander Lukashenko dhe kancelares gjermane Angela Merkel, të dy liderët ranë dakord se problemi është në nivel të Bjellorusisë dhe BE-së dhe se zyrtarët e emëruar nga secila palë duhet të fillojnë menjëherë negociatat. Në anën tjetër kryeministri polak, Mateusz Moraëiecki, ka paralajmëruar se Evropa do të përballet me fluks të “miliona” migrantëve, nëse nuk ashpërsohen politikat nëpër kufi. Ndërkohë ministri  i Jashtëm polak ka akuzuar Lukashenkon se është ai i cili i inkurajon migrantët të vijnë në kufi dhe të jenë agresivë.
 
“Zoti Lukashenko është përgjegjës për inkurajimin e njerëzve për të ardhur në Bjellorusi me një premtim për të kaluar ilegalisht kufirin dhe më pas duke inkurajuar për të qenë gjithnjë e më agresivë siç e kemi parë dy ditë më parë. Ne kemi detyrime ndërkombëtare për të mbrojtur kufirin nuk është vetëm kufiri polak, por edhe kufiri i Bashkimit Evropian, kështu që sipas mendimit tonë nuk duhet t'i lëmë ata njerëz të kalojnë siç dëshiron të bëjë zoti Lukashenko.”,- tha ministri për punë të jashtë të Polonisë, Marcin Przydac.
 
Edhe Brukseli ka akuzuar liderin autoritar të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka se ka krijuar krizën me migrantë si hakmarrje ndaj disa rundeve të sanksioneve të BE-së kundër këtij shteti, pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në gusht të vitit 2020.Perëndimi i konsideron ato zgjedhje të manipuluara.


GAZMEND KURTISHI