Mustafa: Nuk kam gabuar që iu kam bashkuar Thaçit

17.12.2014 12:35

Kryeministri, Isa Mustafa, thotë se nuk e ka ndërmend të merret me SHIK-un dhe se me të duhet të merret drejtësia....

Në intervistën dhënë “Zërit”, Mustafa tha se Gjykata Speciale është mundësia më e mirë që t’i zbardhë vrasjet e pasluftës. Është i bindur që ka bërë zgjidhjen më të mirë dhe më stabile, duke iu bashkuar Hashim Thaçit.

Por, ai thotë se nuk do ta kishte braktisur bllokun nëse Ramush Haradinaj do të hiqte dorë nga kërkesa e tij për kryeministër. Mustafa, në intervistën dhënë për “Zërin” ka thënë se edhe ambasadorët e Quintit, por dhe zyrtarët kosovarë u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos mashtrohen të marrin këtë rrugë të emigrimit.

Kryeministri Mustafa, duke folur për vrasjet e pasluftës, ka thënë se duhet lënë në dorën e drejtësisë që të zgjidhë këto vrasje. Ai, madje ka thënë se edhe Gjykata Speciale do të bënte mirë të merrej me këto çështje, duke e konsideruar këtë organ, që akoma s’është formuar, si mundësinë më neutrale për të zgjidhur këtë çështje.

Në këtë frymë, Mustafa mendon se Kuvendi i Kosovës do të kalojë Ligjin për Gjykatën Speciale, por ai nuk është i sigurt se një gjë e tillë do të ndodhë edhe me ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.