Maqedoni
“Alternativa” konfirmon takimin Zaev-Gashi, Mickovski: Duhen zgjedhje të parakohshme
18.11.2021 15:07
“Alternativa” ka pranuar ftesën e kryeministrit, Zoran Zaev, për të shqyrtuar mundësinë për bashkëqeverisje....

“Alternativa” ka pranuar ftesën e kryeministrit, Zoran Zaev, për të shqyrtuar mundësinë për bashkëqeverisje. Zëdhënësi i kësaj partie, Orhan Murtezani, konfirmoi se të premten do të realizohet takimi mes kryetarit të saj, Afrim Gashi, dhe kryeministrit, Zoran Zaev.
“Po, e vërtetë është se do të ketë takim, por takime të këtilla ka pasur edhe në të kaluarën, do të ketë edhe në të ardhmen. Ndërsa, për atë se çfarë do te flitet në takimin e nesërm, do të ju njoftojmë pas përfundimit të takimit.”,- thotë zëdhënësi i “Alternativës”, Orhan Murtezani.
Vendimi i Alternativës për të shqyrtuar mundësinë për t’iu bashkangjitë Qeverisë nuk komentohet nga partneri i koalicionit Aleanca për Shqiptarët.
Po ashtu kryeministri, Zoran Zaev, ka pritur në takim deputetin Kastriot Rrexhepi. Siç njoftohet nga qeveria: Kryeministri Zaev dhe deputeti Rexhepi edhe njëherë e konfirmuan angazhimin e përbashkët për mbajtjen dhe thellimin e kursit reformues dhe evropian të vendit, si përcaktim i shumicës së qytetarëve të vendit.
Në takim po ashtu u theksuan pritshmëritë që BE të mbaj premtimet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq, VMRO DPMNE vazhdon të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamente. Veç situatës së krijuar në Kuvend, 60 me 60, Hristijan Mickovski konsideron se ky pushtet është delegjitimuar në zgjedhjet lokale. Sipas kreut të VMRO DPMNE-së, vendimi i mundshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk ndikon në vendimin për fillimin e negociatave me BE-në dhe këto dy çështje nuk duhet ndërlidhur me njëra tjetrën.
“Zgjedhje duhet në ketë një orë e më parë, që nesër. Pasi populli e delegjitimoi këtë qeveri të LSDM-së dhe Zoran Zaevit. Data për fillimin e negociatave është vetëm njohje e BE-së për këtë popull dhe këtë shtet që ka dhënë shumë për Evropën në dekadat që kemi lënë pas.”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Një javë më parë VMRO DPMNE, koalicioni ASH-Alternativa, Lëvizja Besa dhe e Majta tentuan t’i shpallin mosbesim Qeverisë aktuale, por tërheqja e deputetit Kastriot Rexhepi ndryshoi situatën.
Aktualisht kryeministri, Zoran Zaev, u ka bërë ftesë për bashkëqeverisje të gjitha subjekteve politike që përkrahin MO-në, Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen me Bullgarinë dhe që janë pro integrimit në Bashkimin Evropian.
SHPËTIM NUREDINI
