Maqedoni
Shumica parlamentare, Kuzeska: Ditët në vijim, zgjerim të shumicës
18.11.2021 15:21
Pushteti i bindur në zgjerimin e shumicës parlamentare ditëve në vijim....

Pushteti i bindur në zgjerimin e shumicës parlamentare ditëve në vijim. Nga partia e Zaevit thonë se bisedimet janë shtrirë me të gjitha partitë që mbështesin politikat pro-europiane dhe të fqinjësisë së mirë për të vazhduar politikat e deritanishme drejt Unionit.
“LSDM është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha partitë dhe deputetë të cilët mbështesin rrugën drejt BE-së, NATO-n, Marrëveshjen e Ohrit dhe marrëdhëniet ndërfqinjësore me Bullgarinë dhe me fqinjët tjerë dhe mbështesin marrëdhëniet e mira ndëretnike në vend. Gjithsesi se shumica parlamentare do të rritet, do të ketë takime me parti politike ditëve në vijim.”,- tha zëdhënësja e LSDM–së, Bogdanka Kuzeska.
Osmani: E pakontestueshme, nëpërmjet disa opsioneve
Edhe nga BDI thonë se shumica e re stabile është e pakontestueshme dhe do të konsolidohet javën që vjen. Ministri Bujar Osmani paralajmëron disa opsione për zgjerimin e shumicës dhe sipas tij rrugët e atyre opsioneve po konkretizohen këto ditë.
“Shumica e re parlamentare stabile është e pakontestueshme. Mënyrat se si do të arrihet kjo shumicë janë alternative, ka disa opsione të tilla të cilat po diskutohen për momentin ndërmjet liderëve të partive politike dhe unë pres që ditëve në vijim të konsolidohet ai mozaik i shumicës së re parlamentare dhe të vazhdohet pastaj me tejkalimin e sfidave dhe mundësive.”,- theksoi ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani.
Mundësinë për përfshirje të alternatives në qeveri nuk e ka përjashtuar edhe deputeti i alternativës Skender Rexhepi-Zejd i cili për Lajm TV ka deklaruar se brenda partisë ka qëndrime edhe për edhe kundër, por gjithçka do të jetë më e qartë pas takimit Zaev-Gashi.
“Alternativa” është një subjekt politikë kompakt dhe gjithsesi se gjithë deputetët do të jenë në një vijë me kryesinë dhe organet partiake, pasi që pjesë e deputetëve është edhe vetë kryetari i “Alternativës”. Ka dallime në kuadër të partisë edhe për edhe kundër, megjithatë të gjitha qëndrimet janë në shërbim të “Alternativës” , interesit të qytetarëve dhe të shqiptarëve. Asnjëri nuk është me pretendime për të dëmtuar proceset qoftë brenda partisë, qoftë jashtë saj, prandaj mendoj se këto dallime do të vijnë duke u zbutur me kalimin e kohës, sepse ka sinjale të tilla. Pas takimit të nesërm apo të ditëve në vijim mes kryetarit të “Alternativës” me kryeministrin gjërat do të dihen pak më qartë.”,- u shpreh deputeti i “Alternativës”, Skender Rexhepi.
Nga BDI e kanë vlerësuar çështja e ndarjes së resorëve si sekondare, dhe kanë lënë mundësi që të vendoset pasi të arrihet marrëveshja për zgjerim të shumicës. Aktualisht BDI udhëheqë me resorin e financave, ekonominë, ministrinë e jashtme, ekologjinë, ministrinë e sistemit politik dhe shoqërinë informatike, përderisa Lëvizja Besa drejtonte Ministrinë e Bujqësisë dhe kishte dy zëvendës ministra në dikasterin e arsimit dhe kulturës.
MERAL ISMAILI
