Maqedoni
Besar Durmishi zgjidhet kryetar i këshillit në Komunën e Tetovës
18.11.2021 16:12
Me 16 vota “për”, asnjë “kundër” dhe 14 “të përmbajtur”, Këshilli i komunës së Tetovës...

Me 16 vota “për”, asnjë “kundër” dhe 14 “të përmbajtur”, Këshilli i komunës së Tetovës zgjodhi kryetarin e saj të ri Besar Durmishin nga radhët e Lëvizjes “Besa”. Këshilli po ashtu bëri dhe verifikimin e 31 mandateve të këshilltarëve, ndërsa e konstatoi dorëheqjen e Pajtim Thaçit, këshilltar të PDSH-së dhe i njëjti u zëvendësua me Isnie Vejselin.
“U zotova se do të punojmë për 4 vitet e ardhshme. Na presin shumë punë, kemi shumë probleme të trashëguara, por bashkërisht me ekipin punues dhe profesionistët do të arrijmë që gjitha ato probleme një nga një t’i zgjidhim.”,- tha kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi.
“Të përmbajtur” votuan këshilltarët e BDI-së, PDSH-së, LSDM-së dhe Këshilltari i “Alternativës”.
“U përmbajtëm, nuk e përkrahëm këtë votim. Ne si këshilltarë të BDI-së kemi 10 ulëse në këtë këshill dhe ne do të përmbahemi. Të gjithë ato iniciativa që janë në të mirë të qytetarë, do t’i përkrahim, do të jemi zëri i popullit.”,- theksoi Blerim Osmani nga BDI.
“Nuk mund të themi se do ndahemi në pozitë dhe opozitë prej tani, nuk do e bëjmë këtë gjë. Do të punojmë për çdo çështje në mënyrë të posaçme. Sinqerisht, ajo për të cilën do mendojmë se është pozitive dhe e dobishme do ta përkrahim.”,- theksoi Ilija Dimitrievski nga LSDM.
Dy këshilltarët e iniciativës qytetare “Më mirë për Tetovën” votuan “pro” zgjedhjes së kryetarit të ri të këshillit.
“Kjo nuk do të thotë se shumica apo vota jonë do të jetë gjithmonë pro çdo propozimit të udhëheqësish aktuale. Ne do ta vlerësojmë çdo pikë veç e veç.”,- u shpreh Elmedina Abdullahi nga Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën”.
Përfaqësuesit e partive politike thanë se ende nuk kanë marrëveshje për koalicionime brenda këshillit.
VISAR SADIKI
