Maqedoni
Jurisprudencë, me buxhetin e ri përforcohet gjyqësori
18.11.2021 16:38
Me buxhetin e ri të paraparë për vitin 2020 në mënyrë financiare dhe kadrovike...

Me buxhetin e ri të paraparë për vitin 2020 në mënyrë financiare dhe kadrovike do të përforcohet gjyqësori, paralajmëroi ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq. Rritje të pagave do të kenë gjykatësit, prokurorët, si dhe nëpunësit në të dyja institucionet. Kjo duhet të kontribuojë në efikasitetin dhe cilësinë e procedurave gjyqësore, tha Mariçiq me rastin e prezantimit të analizës për funksionimin e gjykatave themelore dhe planit për përmirësimin e gjykatave themelore në RMV.
“Ajo çka vlen të theksohet e që pasqyron vullnetin për gjyqësor të përforcuar dhe të pavarur është rritja e buxhetit për gjyqësorin për këtë vit për 6.5 % në krahasim me vitin e kaluar si dhe rritjen e pagave të gjykatësve dhe nëpunësve në sistemin gjyqësor për 15%, e njëjta vlen për prokurorinë 13.5 % rritje të buxhetit dhe rritje të pagave për 15% dhe nëpunësve.”,- tha ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Analiza për funksionimin e gjykatave themelore në RMV u përgatit nga Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike. Ata vlerësojnë se për të ndryshuar disa gjëra nuk duhen shumë mjete financiare apo ndryshime ligjore por duhet më shumë përqendrim dhe vullnet.
“Sa më shumë avancohemi në ndryshimin e gjyqësorit dhe zbatimin e reformave të themi kënaqësia tek gjykatësit është pak e rritur, ndërsa është zvogëluar tek mediat, avokatët dhe palët në kontest. Gjyqësori vetëm prej 14% të qytetarëve gëzon besim, 65% e qytetarëve nuk kanë besim dhe me këtë i vënë në fund të institucioneve nga pushteti në vend.”,- tha kryetarja e Qendrës për Hulumtime dhe Analiza Juridike, Lidija Zafirovska.
Besimi ndaj gjyqësorit mbetet plagë e rëndë
Kryetari i Shoqatës se Gjykatësve, Xhemali Saiti, vlerëson se besimi ndaj gjyqësorit është një plagë e rëndë dhe duhet punuar dhe krijuar besimin me përkushtim sidomos në rastet me interes për publikun.
“Ju mund të punoni 1000 vendime të mira, por vetëm me një vendim besimin e ulni në zero. Duhet të bëjmë përpjekje dhe të jemi të kujdesshëm ndaj lëndëve që kanë interes të madh publik, sepse ata detektojnë besimin tonë.”,- u shpreh kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Xhemali Saiti.
Me këtë rast u tha se në RMV ekziston pavarësi formale por që thelbi i pavarësisë, megjithatë, qëndron diku më thellë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
