Maqedoni

Samiti Maqedonia 2025 - “Digjitalizimi dhe zhvillimi ekonomik”

18.11.2021 18:30

Nuk ekzistojnë kushte më të mira për fillimin e ndryshimeve pozitive...

Suksesi i gjeneratës sonë do të vlerësohet në bazë të asaj se a do të mund të ofrojmë një të ardhme më të mirë për rininë tonë, këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
 
Dhe këtë do ta arrijmë vetëm nëse ndërtojmë një shoqëri të avancuar, të bazuar në njohuri dhe një ekonomi të qëndrueshme të bazuar në teknologji, u tha në Samitin jubilar të “Maqedonisë 2025”, tema kryesore e të cilit është digjitalizimi. Sipas presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, digjitalizimi është vetëm edhe një mjet shtesë për ta luftuar sëmundjen më të madhe të çdo vendi, e ajo është korrupsioni.
 
“Përpos uljes së papunësisë dhe rritjes së ekonomisë, digjitalizimi mundëson transparencë e cila është e patjetërsueshme për ta minimizuar ndoshta sëmundjen më të madhe të secilit shtet, e ajo është korrupsioni. Këtu e përfshij edhe korrupsionin që ndodhë për çdo ditë apo korrupsioni bening, i cili i vështirëson shërbimet publike, por edhe më shumë ndikon tek korrupsioni maling në lidhje me kriminalitetin e organizuar.”,- tha kryetari i RMV-së, Stevo Pendarovski.
 
Sipas të pranishmëve në panel, digjitalizimi largon dallimet mes vendeve të vogla dhe të mëdha, por vetëm duhen këto mundësi të shfrytëzohen.
 
“Nuk mundemi të bëjmë dallime mes vendeve të mëdha dhe vendeve të vogla, sepse edhe pse jeni vend i vogël, mundësinë në digjitalizim i keni të pakufishme ku mund të mbërrini shumë, por vetëm nuk lejohet të jeni të ngadalshëm. Prandaj do ta kisha përfunduar këtë fjalim me një fjali se: Nuk është me rëndësi a shkojmë majtas apo djathtas, por me rëndësi është se a po lëvizim përpara apo mbrapa.”,- theksoi Nikica Blazhevski.
 
“Mënyra e komunikimit dhe mënyra se si blejmë ka ndryshuar, po fillojmë prej shtëpisë sime, ku askush nuk gatuan, por të gjithë porosisin online. Sipas ecurisë së digjitalizimit, shumë shpejt mund të ecim me vetura autonome, apo edhe mësimi i fëmijëve do të jetë shumë më inteligjent.”,- u shpreh Merselo Zafirovski.
 
Të dhënat e fundit të Eurostatit nga viti 2020, kanë treguar se mesatarja e digjitalizimit dhe aftësive digjitale në Maqedoninë e Veriut është vetëm 32 për qind, ndërsa në BE është 56 për qind.
 
FITIM KRYEZIU