Athena, roboti që fluturoi si pasagjer i zakonshëm

17.12.2014 13:42

Është e pazakontë që një robot humanoid të bëjë çek-in në ndonjë aeroport, por kjo ka ndodhur në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit....

Roboti Athena ka hipur në linjën “Lufthansa” për të udhëtuar drejt Frankufurtit. Athena, ka një fytyrë tepër njerëzore dhe buzëqesh, e kjo bëri që pasagjerët e tjerë ta pranojnë pa problem. Athena, është roboti i parë që udhëton në një aeroplan me biletë të rregullt.

“Është një makineri si gjithë të tjerat. Ne kemi shpesh në bord robotë, por zakonisht ata vihen me bagazhet në arka të mbyllura speciale"- tha kapiteni i aeroplanit, Dietrich Schvamle.

Por, shpikësi i Athenas, profesori Stefan Schaal, nga instituti “Max Planck”, thotë se bileta e zakonshme është mënyra më e lirë për të udhëtuar.

“Mendoj se robotët duhet të integrohen në shoqërinë njerëzore si gjithë të tjerët. Mendoj se robotët do të na zëvendësojnë një ditë kur të mos mjaftojnë më njerëzit për të kryer disa punë. Pse të mos udhëtojnë edhe në avion atëherë”- theksoi shkencëtari, prof. Stefan Schaal.

Athena mund të kishte udhëtuar në kuti si gjithë të tjerët, por stafi drejtues i “Max Planck”-tit donte të shikonte reagimet e njerëzve pasi të kuptonin se edhe një robot do të udhëtonte njësoj si ata. Për shkaqe sigurie, autoritetet e aeroportit insistuan që Athenës t’i hiqeshin bateritë gjatë fluturimit. Ai është krijuar për të bërë punë të rrezikshme për njerëzit, si për shembull pastrimin e vendit pas ndonjë fatkeqësie nukleare. (Leunora Kaliqi, TVM2)