Kabllot e vjetra të rrymës elektrike, rrezik për qytetarët e Kërçovës
Ndonëse është instaluar rrjeti i ri i rrymës elektrike, kabllot e vjetra me tension të lartë në objektet e çarshisë së Kërçovës nuk janë larguar...

Ndonëse është instaluar rrjeti i ri i rrymës elektrike, kabllot e vjetra me tension të lartë në objektet e çarshisë së Kërçovës nuk janë larguar, por ato kanë mbetur të varura nëpër pullazet e dyqaneve dhe si të tilla ato paraqesin rrezik potencial për të gjithë ata që frekuentojnë shitoret e pjesës qendrore të Kërçovës....
Për të evituar këtë rrezik, pronarët e lokaleve afariste kanë parashtruar disa herë kërkesa për heqjen e kabllove të vjetra, por shoqata aksionare “EVN” për një intervenim të këtillë kërkon pagesën prej afro 550 eurosh.
Rreziku vjen e shtohet sidomos gjatë stinës së dimrit, ku nga kontakti me lagështinë kabllot e vjetra që kanë mbetur pa nevojë akoma të aktivizuara mund të rrezikojnë jetët e njerëzve dhe pronat e kësaj pjese të qytetit.
Këto kabllo të vjetra mbase ishin shkaku i ndezjes së një lokali afarist, ku fatmirësisht nuk kishte viktima, por vetëm dëme materiale.
Pronarët e lokaleve afariste kërkojnë me këmbëngulje heqjen e kabllove të vjetra, sepse përgjegjësia për këtë rrezik potencial do të bie mbi ata që menaxhojnë me rrjetin elektrik. (Shaban Dalipi, TVM2)
