20 vjet Universiteti Shtetëror i Tetovës

17.12.2014 14:58

USHT, ky tempull i arsimit shqip u themelua 20 vjet më parë, në një kohë të turbullt historike dhe në rrethana të përqendruara politike, ku mbi shqiptarët ushtrohej një represion i paparë ideologjik dhe politik.....

Themelimi i UT-së më 17 dhjetor 1994, pa dyshim, është projekti më i madh kombëtar për shqiptarët e Maqedonisë në shekullin që e lamë pas.

Krijimi i shtetit të ri maqedonas në vitin 1990, e intensifikoi edhe më shumë mbylljen e shkollave të mesme në gjuhën shqipe në të gjitha qytetet me shumicë shqiptare, përveç Tetovës dhe Shkupit, ku kishte vetëm disa paralele të shkollimit të mesëm në gjuhën shqipe.

Kjo situatë e krijuar e rëndoi shkollimin e shqiptarëve të rinjtë që mbaronin shkollën. Ata detyroheshin të studionin në gjuhën maqedonase ose të studionin në Universitetin e Prishtinës dhe Tiranës. Kjo situatë e rënduar shkollimi, paraqiste një brengë të madhe për shumë intelektualë shqiptarë të Maqedonisë, të cilët, në vitin 1994, të prirë nga profesori, Fadil Sulejmani, e themeluan Universitetin e Tetovës. Kjo ngjarje u mirëprit nga mbarë populli shqiptar, por jo edhe nga politikat e atëhershme.

Për ta parandaluar themelimin e UT-së, shteti dërgoi forca të mëdha policore në Reçicë të Vogël dhe fshatin Poroj, me ç’rast ra edhe dëshmori i universitetit, Abdylselam Emini. Por, as kjo vrasje nuk e ndali vullnetin për arsim dhe rezistencën. USHT-ja, jo vetëm që arriti të mbijetojë, por është kthyer në një universitet me rëndësi vendore dhe rajonale. Për 10 vjet me radhë,  UT-ja funksionoi jashtë kornizave ligjore dhe arriti të mbijetojë vetëm falë kontributit të popullit në të gjitha trevat, duke mbledhur  në gjirin e vet profesorët më të mirë vendor dhe rajonal, intelektualë të dëshmuar në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Pas konfliktit të vitit 2001, me uljen e palëve në tryezën e bisedimeve, njëri ndër prioritet për palën shqiptare ishte edhe zgjidhja e çështjes së arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Situata ndryshoi rrënjësisht dhe në prill të vitit 2004, pas plot 10 vjetësh,Universiteti i Tetovës më në fund u zyrtarizua me katër fakultete.

Me zyrtarizimin e universitetit, numri i fakulteteve dhe programe studimore ka qenë i cunguar, por me kalimin e kohës numri i tyre është rritur dukshëm, duke numëruar sot 11 fakultete, mbi 54 programe studimore dhe rreth 70 drejtime studimore.

Universiteti Shtetëror i Tetovës ka nxjerrë ekspertë të profileve të ndryshme, të cilët sot janë bartës të shumë proceseve shoqërore, shumë kuadrove profesionale, të cilët janë punësuar në institucione të ndryshme. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)