Botë
Evropa në ethet e valës së katërt të covid 19
19.11.2021 17:51
Shumë shtete evropiane janë duke vendosur masa kufizuese, pas rritjes së numrit të rasteve...

Austria së fundmi ka bërë të ditur për një izolim kombëtar, duke nisur nga dita e hënë, 22 nëntor. Kancelari austriak, Alexander Schallenberg, ka thënë se izolimi do të zgjasë të paktën 10 ditë ditë dhe pas kësaj date bllokimi nuk do të zbatohet më për të imunizuarit.
“Qeveria federale dhe guvernatori i shtetit ramë dakord se ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveçse të urdhërojmë kufizime të mëtejshme për të gjithë, me qëllim për të mbrojtur sistemin shëndetësor dhe të gjithë ne”, u shpreh kancelari austriak Alexander Schallenberg.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka hedhur poshtë mundësinë e mbylljes së personave të pavaksinuar në Francë, duke argumentuar se masa nuk është e arsyeshme në kushtet kur funksionon pasaporta shëndetësore.
“Nuk është e nevojshme që Franca të ndjekë shembullin e Austrisë dhe shumë vendeve të tjera evropiane, duke izoluar qytetarët e pavaksinuar"-ka thënë Makron.
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, thotë se vendi I saj do t’u vendosë kufizime të pavaksinuarve aty ku ka shumë raste. Ndërkohë Greqia ka ashpërsuar kufizimet ndaj personave të pavaksinuar, duke u ndaluar hapësirat publike.
“Nga e hëna e ardhshme, të gjithë qytetarët e rritur të pavaksinuar, përveç hotelierisë nuk do të hyjnë në ambiente të mbyllura, as me testet negative, as në kinema, as në teatro, muze, apo palestra. Është një masë mbrojtëse e menjëhershme dhe sigurisht një nxitje indirekte për t'u vaksinuar”, theksoi kyeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Holanda dhe Çekia kanë rivendosur detyrimin për maskat në ambientet e brendshme, dhe detyrimin e pasaportës së vaksinimit për vizitorët e restoranteve, bareve etj. Epidemiologët i tremben ardhjes drejt Evropës perëndimore të një vale të katërt infektimesh nga Evropa lindore, ku shifrat janë shumë të larta.
GAZMEND KURTISHI
