Jerusalem, një i vrarë dhe 4 të plagosur
Një person i armatosur ka hapur zjarr...

Një person i armatosur ka hapur zjarr në pjesën e vjetër të Jerusalemit, duke vrarë një person dhe duke plagosur katër të tjerë.
Personi i armatosur, të cilin zyrtarët e identifikuan si një anëtar i grupit militant palestinez, Hamas, u qëllua për vdekje nga forcat izraelite të sigurisë.
Një civil i plagosur vdiq në spital nga plagët e marra. Një tjetër u plagos rëndë. Në mesin e të plagosurve janë edhe dy policë izraelitë, thanë zyrtarët.
Ministri i Sigurisë së Brendshme, Omer Bar-Lev, tha se sulmuesi kishte përdorur një pushkë automatike. Sulmi ndodhi pranë një porte të një kompleksi në Jerusalemin Lindor që shumë shpesh është pikë e dhunës.
Në atë pjesë ndodhet xhamia Al-Aksa. Sulmuesi u identifikua si një palestinez 42-vjeçar nga Jerusalemi Lindor. Një zëdhënës i Hamasit konfirmoi se personi, të cilin mediat palestineze dhe izraelite e identifikuan si Fadi Abu Shkhaydam është një anëtar i krahut politik të këtij grupi.
