Maqedoni

22 nëntor- dita e alfabetit, Manastiri shënon ditën e unifikimit të alfabetit

22.11.2021 14:23

Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, u vërshua nga vizitorë të shumtë....

Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, u vërshua nga vizitorë të shumtë. Godinë kjo që i qëndroi stoike tundjeve historike ndër vitesh e në ambientet e së cilës 113 vite më parë, në vitin 1908 u unifikua alfabeti I gjuhës shqipe. Qytetarë të trojeve të ndryshme nga afër tentuan të përjetojnë përpjekjet e  delegatëve, figura të shquara të jetës kulturore e politike mbarë shqiptare. Ata vlerësojnë lartë standardizimin e alfabetit si simbol bashkimi të të gjithë shqiptarëve.

“Këtu janë mbledh delegatë nga të gjitha trojet shqiptare për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne sepse kemi një alfabet modern dhe të unifikuar.”, tha Adnan Mehmeti, sh.f ‘Liria’, Zhitoshë
 
“Është një ditë e madhe, ku për herë të parë në vitin 1908, në këtë vend është mbajt kongresi I alfabetit të gjuhës shqipe dhe në këtë vend kanë marrë pjesë intelektualë nga shumë vende të botës.”, tha Demir Imeri nga f.nerovë, Krushevë.
 
“Sot është dita ndërkombëtare e gjuhës shqipe, e cila ka një domethënie shumë të madhe, sot do të festojnë të gjithë shqiptarët shkaku I shkronjave.”, u shpreh një qytetar.
 
Ngjarjet e Kongresit të Manastirit janë zhvilluar nga 14 nëntori dhe kanë kulmuar më 22 nëntor. Drejtoria e Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe nisi një ditë më herët aktivitet, nga 13 nëntori, me moton “Rrugëtimi drejt Alfabetit”, për të nxjerë në prizmin më të mirë përpjekjet për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
 
“Kemi patur shoqata të ndryshme poetike ku kemi mbajtur manifestime në hapësirat e muzeut, gjithashtu kemi patur edhe promovime librash. Sot kemi një ekspozitë të Dorijan Koçit, kemi patur Arijan Lekën dhe kështu me rradhë dmth vazhdojmë në ora 19, është Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqipe.”, tha Zait Aliu, drejtor i Muzeut të Alfabetit, Manastir.
 
Para mbajtjes së Kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej nga gjashtë ose më shumë alfabete. Pasi alfabeti u njësua në konferencën akademike në qytetin e Manastirit, kjo ngjarje tanimë festohet tradicionalisht duke marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare.
 
MERALE ISMAILI