Maqedoni

USHT-ja nderon Fadil Sulejmanin dhe Abdylselam Eminin

17.12.2014 16:40

Në ditën e themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, drejtuesit e këtij institucioni të lartë arsimor gjatë kanë bërë homazhe tek varri...

Në ditën e themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, drejtuesit e këtij institucioni të lartë arsimor gjatë kanë bërë homazhe tek varri i themeluesit të këtij universiteti, njëherit edhe rektori i parë i tij, prof.dr.Fadil Sulejmani.
 
Ai mbetet një nga piemontët dhe figura më e lartë e kombit shqiptar në 100 vitet e fundit në Maqedoni, u tha me këtë rast.
 
“Kemi ardhur për t’i bërë një nderim njeriut i cili themeloi Universitetin e Tetovës, themeloi ardhmërinë e shqiptarëve të Maqedonisë. Për mendimin tim, ai është piemonti më i lartë, figura më e madhe që ka pasur kombi shqiptar në këto 100 vitet e fundit, flas për pjesën shqiptare këtu në Maqedoni, për arsye se pa të thjesht nuk do të ishim këtu ku jemi sot dhe do të ishim pa ardhmëri, prandaj është shumë gjë e madhe që ne vazhdojmë t’i bëjmë nder këtij njeriu, që meriton shumë më tepër se kaq, meriton përmendore të madhe sa bjeshkët e Sharit”- deklaroi dekani i Fakultetit Filologjik të USHT-së, doc.dr. Fatmir Sulejmani.
 
Homazhe u bënë edhe tek busti i dëshmorit të parë të arsimit shqip në Maqedoni, Abdylselam Emini. 
 
“E kemi obligim të gjithë ne, që nga i pari deri te i fundit i këtij universiteti duhet t’i bëjmë respekt, në rastin konkret dëshmorit i cili flijoi edhe jetën, atë që kishte më të shtrenjtë, për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Uroj që mos t’i harrojmë dhe për jetë e mot t’i respektojmë figurat e këtilla, si rasti i Abdylselam Eminit, që e dha jetën në lulen e rinisë për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës”- tha dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore në USHT, prof.dr. Fauzi Skenderi.
 
Fadil Sulejmani dhe Abdylselam Emini, mbeten dy figura kyçe me të cilat Universiteti Shtetëror i Tetovës do të identifikohet gjatë gjithë historisë, pasi që në çdo përvjetor emrat e këtyre dy personaliteteve nuk do të harrohen kurrë. 
 
MIFTAR EMINI