Evropa në ethe nga vala e Covid 19, shumë vende rikthejnë masat

22.11.2021 19:10

Rritja e rasteve me të infektuar nga Covid 19...

Rritja e rasteve me të infektuar nga Covid 19 ka detyruar shumë  vende  të Evropës të rikthejnë masat. Austria është  vendi i parë europian që ka vendosur një bllokim të plotë kombëtar por ky vendim u përcoll me protesta gjatë fundjavës  ku nuk munguan edhe përleshjet me policinë.

Protesta të dhunshme kundër masave anti-Covid pati këto ditë në të gjithë Europën, përfshirë Holandën edhe Belgjikën ku pati dhe disa të plagosur.

Franca tha se vendi është përfshirë nga vala e pestë, por nuk pretendon, të paktën për momentin, të vendosë masa shtesë kufizuese. Në të njetën vijë me Francën është edhe Zvicra.

Portugalia është një nga vendet me përqindjet më të larta të vaksinimit në botë por vendi sërish po shqyrton vendosjen e masave të reja. Italia  është rikthyer në situatën e njëjtë që përjetoi majin e kaluar, kur u raportuan për herë të fundit më shumë se 10,000 raste të reja.

Ndërkohë eksperti kryesor për sëmundjet infektive në SHBA Antony Facui u bëri thirrje miliona amerikanëve që janë të vaksinuar të bëjnë edhe  dozat përforcuese “për të rritur mbrojtjen” ndaj virusit edhe pse ende  nuk është e qartë nëse ata që janë vaksinuar mund të vazhdojnë të kenë nevojë për vaksina përforcuese çdo gjashtë muaj ose çdo vit në të ardhmen.

“Ne do të vazhdojmë të ndjekim të dhënat, sepse për momentin kur po i nxisim njerëzit, ajo që po bëjmë është t'i ndjekim ata. Ne do të shohim se cila është qëndrueshmëria e kësaj mbrojtjeje, dhe siç bëjmë gjithmonë, ju thjesht ndiqni dhe lejoni që të dhënat të udhëheqin politikën dhe rekomandimet tuaja.”  - tha eksperti kryesor për sëmundjet infektive në SHBA, Anthony Fauci.

Edhe Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn, ka lëshuar një paralajmërim duke u kërkuar më shumë njerëzve të vaksinohen.

“Ndoshta deri në fund të këtij dimri, siç thuhet ndonjëherë në mënyrë cinike, pothuajse të gjithë në Gjermani do të vaksinohen, do të shërohen ose do të vdesin” – deklaroi Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn.

Drejtori rajonal i OBSH-së, Dr Hans Kluge, tha për BBC-në se nëse masat nuk forcohen në të gjithë Europën – si për vaksinat,  mbajtja e maskave dhe certifikatat e Covid mund të shënohen gjysmë milionë viktima deri në pranverën e ardhshme. (Gazmend Kurtishi, TVM2)