Maqedoni
Ndotja e ajrit, fajtorë të gjithë, mjegulla nuk hiqet
17.12.2014 16:49
Sipas matjeve më të fundit, ndotja e ajrit në Shkup mbërrin nivele alarmante...

Por, veturat dhe objektet industriale nuk janë shkaku i vetëm i nivelit të lartë të ajrit të ndotur në qytet.
Ato janë vetëm një pjesë e shkaqeve të ndotjes.
Te ndotja ndikojmë edhe ne, ose më saktë autoritetet thonë se një nga shkaqet e ndotjes është edhe përdorimi pakujdes i mjeteve për ngrohje, pasi në këto ditë të ftohta dimri si mjete për ngrohje përdoren alternativa të lira.
Edhe drunjtë e lagur digjen më gjatë se drunjtë e thatë, por djegia e tyre ndot më shumë ajrin.
“Me dru të njomë tymos më shumë. Aty ku jam unë, vetëm mali e kap, nuk ka njerëz aty, jam vetëm aty, kam një shtëpi pushimi në fshatin Semenishtë dhe askujt nuk i pengoj”- u shpreh një qytetar.
“Po, përpara jam ngrohur me dru, mirëpo nuk më dukej në rregull dhe e lashë, kishte shumë tym. Më pas fillova të ngrohem me gaz, por edhe me atë kishte shumë erë. Në fund vendosa të ngrohem me rrymë”- theksoi një qytetar.
“Po, e di se drunjtë ndotin ajrin dhe ndikojnë negativisht në ambientin, mirëpo aty ku jam unë nuk ka kushte për alternativa të tjera, nuk kemi ngrohje qendrore”- tha një qytetar.
Shkupi ka vendosur masë parandaluese për të mbrojtur kryeqendrën nga ndotja. Më 19 dhjetor, hyn në fuqi masa për ndalimin e mjeteve transportuese në territorin e Qytetit të Shkupit.
Ndalesa ka karakter të përkohshëm dhe do të lihet në fuqi deri më 31 mars të vitit të ardhshëm. Ndalesa për kamionët do të vlejë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 20 të mbrëmjes.
Qyteti i Shkupit bëri me dije se masa vihet në zbatim me qëllim reduktimin e ndotjes së ajrit. Qyteti u bën apel drejtuesve të kamionëve të respektojnë masën e ndalesës dhe sinjalizimin e trafikut.
ERSAN PAJAZITI
