Hekurudha Budapest-Selanik do të kalojë përmes Shkupit
Rreth 3 miliard dollarë është shuma me të cilën planifikohet ndërtimi i një hekurudhe moderne, që do t’i lidhë vendet e Ballkanit Perëndimor, Greqinë, Maqedoninë, Serbinë dhe Hungarinë....

Projekti është përkrahur fuqishëm nga vendet në fjalë, ndërsa mjetet do t’i sigurojë Kina, e cila është organizatore e Samitit Ekonomik që po zhvillohet në Beograd.
“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Republikën e Kinës, si dhe shumë i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë rajonale, i rëndësishëm për qytetarët, për kompanitë, për të gjithë. Ky do të ndryshojë shumë gjëra lidhur me transportin, me lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave. Është një projekt i cili do t’i ndihmojë shtetet të shkojnë përpara”- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
“Ndërtimi i kësaj lidhje hekurudhore do të ndikojë në zhvillimin rajonal dhe do të lehtësojë plotësimin e interesave të Kinës dhe të shteteve të Evropës Lindore dhe Qendrore. Ndërtimi i kësaj lidhje do të çojë përpara edhe logjistikën mes këtyre katër shteteve, duke lehtësuar lëvizjen e mallit dhe njerëzve”- tha kryeministri i Kinës, Li Keçijang.
“Hekurudha do të lidhë Serbinë me miqtë tanë në Hungari, Maqedoni dhe Greqi, si dhe do të formojë një lidhje të re shumë të rëndësishme me Evropën. Çdo investim infrastrukturor i këtyre përmasave sigurisht që sjellë edhe përfitime të shumta ekonomike”- theksoi kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Hekurudha besohet se do të lehtësojë shkëmbimin tregtar midis vendeve të rajonit, ndërsa drejtpërdrejt do të ketë impakt ekonominë e tyre.
Ndërkohë, në margjinat e samitit, që po zhvillohet në Beograd mes Kinës dhe vendeve të Evropës Juglindore, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka realizuar edhe disa takime bilaterale, ndërsa është nënshkruar edhe një marrëveshje për bashkëpunim doganor me Serbinë, Hungarinë dhe Kinën. (Naim Ramadani, TVM2)
