Maqedoni
Qeveria, tri ditë zie për tragjedinë e autobusit në Bullgari
23.11.2021 13:20
Qeveria ka shpallur tri ditë zie për shkak të aksidentit të autobusit në Bullgari, ku humbën jetën 46 persona

Qeveria ka shpallur tri ditë zie për shkak të aksidentit të autobusit në Bullgari, ku humbën jetën 46 persona, 45 prej të cilëve shtetas të vendit. Flamujt shtetërorë para Qeverisë tanimë janë ulur në gjysmështizë.
“Për ditë zie shpallen dita e sotme, dita e nesërme dhe e pasnesërmja, përkatësisht nga 23 nëntori deri më 25 nëntor (e martë, e mërkurë dhe e enjte), ndërsa gjatë ditëve të zisë flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe përfaqësive diplomatike të vendit në botë do të ulen në gjysmë shtizë. Anulohen të gjitha aktivitetet publike, ndërsa mediat duhet t’i përshtatin përmbajtjet e tyre në përputhje me gjendjen e zisë treditore.”,- thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Për këtë shkak janë anuluar të gjitha aktivitetet edhe në Kuvendin republikan. Kuvendi ka ngrirë të gjitha zhvillimet, ndërsa subjektet politike kanë anuluar takimet e planifikuara duke ulur flamujt në gjysmë shtizë.
LSDM dhe Alternativa kishin thirrur mbledhje të kryesive qendrore për të diskutuar zgjerimin e mundshëm të shumicës parlamentare, por, siç kanë njoftuar këto parti, në përputhje edhe me vendimin e qeverisë për tre ditë zie, takimet janë anuluar.
GYLTENE SINANI
