Maqedoni

BE, ShBA, Shqipëria dhe Kosova, ngushëllime për 46 viktimat e aksidentit

23.11.2021 14:01

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu ngushëllimet e saj për të afërmit...

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu ngushëllimet e saj për të afërmit e viktimave të aksidentit të autobusit në Bullgari, ku humbën jetën 46 persona. 
 
“Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe miqtë e viktimave të aksidentit tragjik të autobusit në Bullgari mbrëmë. Uroj gjithashtu shërim të shpejtë për të plagosurit. Në këto kohë të tmerrshme, Evropa po shpreh solidaritetin e saj me ju”, shkroi Von Der Lejen në “Twitter”. 
 
Edhe ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir, ka shprehur ngushëllime për tragjedinë e autobusit në Bullgari.
 
“Mendimet tona në këto moment janë me familjet dhe miqtë e atyre që humbën jetën në tragjedinë e autobusit në Bullgari në orët e hershme. Uroj shërim të plotë dhe të shpejtë të personave të lënduar.”,- ka shkruar euroambasadori Gir. 
 
Ngushëllime për tragjedinë ka shprehur edhe ambasadorja amerikane në vend, Kejt Meri Bërns.
 
“Në emër të Ambasadës amerikane, dua të shpreh ngushëllime më të thella për familjet të cilat i humbën të afërmit e tyre dhe mbështetja jonë për të lënduarit, si dhe për ata të cilëve iu thyen zemrat kur dëgjuan për këtë aksident tragjik. Mendimet tona janë me Ju në këto kohë të rënda.”,- ka shkruar ambasadorja Bërnz në Twiter. Edhe Ambasada e SHBA-së në Sofje shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.
 
Keqardhje për tragjedinë kanë shprehur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “S'ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët... Dhimbje” ka shkruar Rama në rrjetet sociale. 
 
Derisa kryeministri Kurti shkruan: I trishtuar dhe i pikëlluar nga lajmi për aksidentin tragjik në Bullgari.  Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet e viktimave, dhe u bashkohem lutjeve për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve. Momente të vështira si këto lehtësohen duke i qëndruar pranë njëri-tjetrit.  Republika e Kosovës bashkëndjen me Maqedoninë e Veriut, popullin e saj dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga ky lajm i kobshëm, dhe shprehë gatishmërinë e plotë për të ofruar ndihmën e saj në çdo kapacitet, thekson Kurti. 
 
Ngushëllime dhe keqardhje për tragjedinë kanë shprehur edhe liderë tjerë nga rajoni dhe Bota. 


GAZMEND KURTISHI