Maqedoni
Dujovski: Faktori njeri shkaktar kryesor për aksidentin
23.11.2021 14:23
Ekspertët e sigurisë rrugore në vend thonë se aksidenti tragjik në Bullgari në të cilën humbën jetën 46 persona...

Ekspertët e sigurisë rrugore në vend thonë se aksidenti tragjik në Bullgari në të cilën humbën jetën 46 persona është fatkeqësia e tretë më e madhe që ka ndodhur që nga pavarësia e këtij vendi. Dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski, thotë se pjesa rrugore në të cilën ka ndodhur aksidenti ka qenë me rrezik të mesëm, ndërsa mendon se faktori njeri është një ndër shkaqet kryesore për aksidentin.
“Në komunikacionin rrugor është ashtu, shkaku më i shpeshtë është faktori njeri, pastaj kontrolli i rregullt teknik i automjetit dhe gjendja dhe karakteristikat e rrugës. Sipas xhirimeve që kanë publikuar mediat bullgare nga ajri, mund të vërehet se bëhet fjalë për pjesë rrugore që mund ta karakterizojmë si e rrezikut të mesëm, pasi ekziston një kthesë nga ana e djathtë, deri sa karakteristikat e rrugës kanë ndikuar deri tek kjo tragjedi, presim që të na përgjigjen hetuesit bullgarë të cilëve u janë bashkangjitur edhe hetuesit tanë dhe të Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë Publike.”,- deklaroi dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski.
Dujovski thotë se agjencitë turistike gjithnjë e më pak investojnë në kuadër cilësorë dhe transport të sigurt të udhëtarëve. Por, pa marrë parasysh këtë, pa u vërtetuar nga organet kompetente është vështirë për të dalë në konkluzione përfundimtare. Andaj Dujovski thotë se duhen marrë parasysh, analizuar dhe hetuar mirë të gjitha shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti të rëndë rrugor.
“Çështja e vjetërsisë së autobusit, çështja e frenave, çështja e rregullit teknik nga aspekti i shikueshmërisë, sistemet e drejtimit të automjetit, sistemi i frenimit e të tjera janë çështje që shumë lehtë mund të vërtetohen në procedurën e mëtejme. Për shkak se autobusi, sipas fotografive nga ajri, është relativisht në gjendje të shëndoshë, relative, përveç se djegieve nuk ka dëme tjera mekanike dhe kuptohet që vozitësi dhe aftësia e tij për të drejtuar automjetin...”,- theksoi dekani i fakultetit të sigurisë, Nikolla Dujovski.
Ekspertët bullgarë: Autostrada “Struma”, autostradë e vdekjeve
Për shkak të numrit të aksidenteve dhe të viktimave, ekspertët e sigurisë rrugore në Bullgari shpeshherë e kanë quajtur autostradën “Struma” si autostradë e vdekjeve.
“Çfarëdo që do të themi tani nuk do të mund t’i kthejmë jetët e humbura të njerëzve, mirëpo nga gjithë kjo duhet të marrim mësim dhe të pranojmë se kjo tragjedi është më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë. Në këtë drejtim ju tregoj edhe disa video-xhirime ku shihet se autostrada ka qenë e lagur, në disa vende e dëmtuar dhe shihen zona ku uji ka bërë vend.”,- tha eksperti i sigurisë rrugore, Krasimir Georgiev.
“Për ne është shumë me rëndësi të vërtetojmë se si ka qenë lëvizja e autobusit dhe kjo mund të na çojë në dy hipoteza, parregullsi teknike apo gabim i shoferit.”,- u shpreh eksperti i sigurisë rrugore, Rumen Dunev.
Ekspertët bullgarë kanë ngritur dyshime dhe për atë se ka pasur vetëm një shofer që ka drejtuar autobusin në fjalë. Zjarri ka shpërthyer në pjesën e përparme, ku sipas mediave bullgare, pranë gomave rezervë ka pasur edhe fuçi me naftë. Pjesa rrugore në të cilën ndodhi aksidenti është hapur në vitin 2004, ku sipas ekspertëve bullgarë, ende mungojnë sinjalistika dhe sistemet e kufizimit të shpejtësisë.
REXHEP QAMILI
