Maqedoni

Zyrat e “Besa Trans” sot ishin të mbyllura, familjarët kërkojnë informacione për të afërmit

23.11.2021 15:12

Dyert e zyrave të Agjencisë “Besa Trans” në Shkup dhe Tetovë kanë qenë të mbyllura...

Dyert e zyrave të Agjencisë “Besa Trans” në Shkup dhe Tetovë kanë qenë të mbyllura, ndërsa është vërejtur prani e shtuar e policisë, pasi familjarë të udhëtarëve kanë ardhur për të mësuar rreth fatit të familjarëve të tyre. Ata thonë se informacionet e para i kanë marrë nga rrjetet sociale, pasi janë përpjekur në çdo mënyrë të vendosin kontakt me familjarët, apo përfaqësuesit e agjencisë, por telefonat e tyre kanë qenë të mbyllur.
 
“Këta edhe telefonin nuk e hapin. Ishim edhe në Tetovë, as atje nuk na treguan asgjë.”,- u shpreh një familjar.
 
“Caktimin e jep Zoti, jo këta këtu. Por, duhet të japin ndonjë informacion që të dimë ku janë. Por, ky është shteti ynë, asgjë nuk funksionon, nuk kemi çfarë të bëjmë. Shoqja dhe vëllai i tij. Të paktën informatë të kemi, se shpirtin e jep Zoti nuk e jep njeriu. Por, aq funksionojmë ne dhe në duart e Zoti. Pak kemi informacione se kanë qenë në këtë autobus. Në orën 7 e kemi thirrur njërën në telefon, ka cingëruar, por mandej asgjë nuk ka.”,- deklaroi një familjar.
 
“Kërkuam te numrat e gjithë këtyre të Agjencisë ‘Besa Trans’, nuk kemi asnjë përgjigje, as nuk na paraqiten në telefon. Së paku si shtet, si ministri e punëve të jashtme duhet të informojnë për ata njerëz që janë në Turqi, a janë mirë, a janë shëndosh, në çfarë gjendje janë, sepse nuk dimë ku të drejtohemi. Është kushëriri im diku mbi 41 vjet, ka nisur të enjten dhe nuk kemi më informacion. Edhe të shpisë së tij nuk dinë asgjë.”,- tha një familjar.
 
Ndërkohë, ka familjarë që kanë udhëtuar edhe drejt spitalit në Bullgari, ku janë të hospitalizuar 7 udhëtarët e mbijetuar. Njëri nga ata bën të ditur që fizikisht ka parë 4 prej tyre dhe ata janë në gjendje të mirë shëndetësore. 
 
“I pamë 4 prej tyre, ata janë në gjendje të mirë, ndërsa tre të tjetër nuk i kemi takuar. Unë jam familjar i 7 udhëtarëve. Arritëm të bisedojmë me ta, por ende nuk janë në vetëdije për situatën dhe nuk mund të flasin.”,- deklaroi një familjar.
 
Drejt vendit të tragjedisë kanë udhëtuar edhe pronarët e Agjencisë turistike “Besa Trans”. Ndërkohë, Inspektorati Shtetëror i Transportit thonë se “Besa Trans” i ka të gjitha licencat dhe lejet e nevojshme për transport të lirë ndërkombëtar. Por, nga inspektorati thonë se kompania ka edhe katër padi penale për mosrespektimin e protokolleve të Kovid-19 në vitin 2021. Ata thonë se gjatë këtij viti në vendkalimet kufitare janë kryer katër kontrolle të inspektorëve në bazë të respektimit të masave ndaj autobusëve të kësaj kompanie dhe në të gjitha rastet janë dhënë padi penale. Ligjërisht, veprat janë trajtuar penale, pasi që gjatë kohës së pandemisë është kërkuar respektim i protokolleve kundër Kovidit, por në autobus gjithmonë ka pasur numër më të madh të udhëtarëve sesa ka qenë e lejuar, gjegjësisht e shënuar në momentin. 
 
SANIJE DURAKU