Maqedoni
Aksidenti në Bullgari, 7 të mbijetuarit në gjendje stabile
23.11.2021 15:34
Shtatë të mbijetuarit e aksidentit në Bullgari të hospitalizuar në spitalin “Pirogov” në Sofje...

Shtatë të mbijetuarit e aksidentit në Bullgari të hospitalizuar në spitalin “Pirogov” në Sofje, janë në gjendje stabile dhe jeta e tyre është jashtë rrezikut. Lajmi u konfirmua nga autoritetet e atjeshme spitalore, por edhe nga ministri i shëndetësisë, Venko Fillipçe, i cili qëndroi në spital për të parë gjendjen shëndetësore të të mbijetuarve. Bëhet fjalë gjashtë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe një nga Serbia. E mbijetuara më e re është e moshës 16 vjeçe, ndërkaq më i moshuari është 50 vjeç. Ministri i shëndetësisë Filipçe tha se pacientët kanë përjetuar lëndime dhe çarje të trupit pasi kanë thyer dritaret e prapme të autobusit dhe kanë kërcyer për të shpëtuar jetën. Vetëm njëri nga të lënduarit ka fraktura. Pacientët po trajtohen maksimalisht nga mjekët bullgarë, tha Filipçe.
“Ka vetëm një pacient i cili ka thyerje, u dakorduam të jemi në kontakt këto ditë, që pas stabilizimit të plotë të gjendjes pacientët t’i transferojmë në trajtim të mëtejmë në Shkup.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Nuk ka rrezik për jetë, lëndimet nuk janë të rënda, të gjitha konsultimet mjekësore janë bërë, vijon përpunimi i plagëve.”,- theksoi drejtori i Spitalit “Pirogov”, Ivan Poromanski.
Të mbijetuarit i vizituan edhe familjarët e tyre.
“Unë jam i afërm i shtatë udhëtarëve. Ende presim lajmin për të afërm të ndjerë. Ata që i pamë janë në gjendje të mirë, katër prej tyre, ndërkaq të tjerët nuk e dimë, nuk i kemi parë ende.”,- u shpreh një familjar i të mbijetuarve.
Autoritetet bullgare të shëndetësisë kanë reaguar menjëherë pas ngjarjes së trishtë duke hospitalizuar të lënduarit të cilët do të qëndrojnë në spitalin e Sofjes derisa gjendja e tyre shëndetësore të stabilizohet.
Personat e mbijetuar janë:
Orhan Aliti 45 vjeç;
Medina Lutfi 25 vjeç;
Lulzim Sulejmani 26 vjeç – shtetas i Serbisë;
Gjyla Jasharovska 49 vjeç;
Minir Jasharovski 50 vjeç;
Ebib Pajazitovski 49 vjeç;
Zulejha Jasharovska 16 vjeç.
GAZETARE: MERAL ISMAILI
