Botë
Rama porosit Vuçiqin: kujdes shqiptarët e Preshevës
17.12.2014 16:57
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duket se kanë thyer akullin...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duket se kanë thyer akullin, duke zhvilluar të parin takim që pas atij të 10 nëntorit, i cili u zhvillua në tensione të mëdha.
Kësaj here, takimi mes Ramës dhe Vuçiqit është zhvilluar në një situatë mjaft të qetë.
Sipas burimeve nga kryeministria, Rama i ka kërkuar homologut serb më shumë kujdes për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndërsa mësohet se Vuçiqi ka konfirmuar se do të vijë në Shqipëri, por pa dhënë një datë të saktë.
Menjëherë pas takimit Rama-Vuçiq, ministri i Transporteve të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dhe ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç, kanë nënshkruar marrëveshjen për njohjen reciproke të patentave.
Megjithatë, në ndryshim nga vizita e parë e zotit Rama, palët nuk kanë dale në një deklaratë të përbashkët për shtyp, duke shmangur në njëfarë mënyre çdolloj deklarate pro Kosovës, që mund të vinte nga kryeministri Rama.
Po ashtu, në ditën e dytë të Samitit Ekonomik, Rama takoi kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, Li Keqiang.
Gjatë këtij takimi, kryeministri, Edi Rama, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën si në rrafshin ekonomik dhe tregtar, ashtu edhe në atë të kulturës dhe arsimit.
Kryeministri Rama, kërkoi nxitjen e bashkëpunimit në bujqësi dhe rritjen e investimeve kineze në energji dhe infrastrukturë.
LULJETA NDOKA
