Kovid-19, disa shtete të BE-së aplikojnë masa izolimi

23.11.2021 17:09

Përhapja e madhe e infeksioneve të reja në Evropë....

Përhapja e madhe e infeksioneve të reja në Evropë ka bërë që shumë shtete evropiane të ndërmarrin masa të ashpra të izolimit.  Austria vendosi t’i mbyllë dyqanet, restorantet dhe mjediset e tjera publike para festës së Krishtlindjes, në një nga masat më të rrepta kundër Covid-19 në Evropën Perëndimore gjatë muajve të fundit. Vendimi u prit me reagime të ashpra.

Edhe Sllovakia, një shtet tjetër i BE-së po shqyrton planin e futjes në izolim për tre javë. Sipas autoriteteve, kjo mund të jetë një hap drejt parandalimit të rritjes së rasteve të të infektuarve me Covid-19. 

Ndërkohë, Zvicra ka miratuar dozën e tretë për personat mbi 16 vjeç, me qëllim rritjen e mëtejshme të imunitetit të popullatës. Me valën e katërt në rritje në Zvicër, Swissmedic njoftoi se kishte miratuar dozën e tretë për të gjithë qytetarët mbi moshën 16 vjeç, ndërsa shumica e vendeve kanë miratuar dozën e tretë për personat mbi 18 vjeç.

Përveç kësaj, vendi miratoi administrimin e dozës së tretë për individët me rrezik të lartë të moshës mbi 12 vjeç.

Edhe Izraeli ka filluar vaksinimin e fëmijëve të moshës 5-11 vjeç me Pfizer, duke shpresuar  se do të parandalojë rritjen e rasteve të koronavirusit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se Gjermania nuk është duke bërë mjaftueshëm për të luftuar valën në rritje të infektimeve me koronavirus, ndërkohë që profesionistët shëndetësorë kanë paralajmëruar se spitalet po përballen me vështirësi në disa rajone.

Sipas saj, kufizimet aktuale ndaj personave të pavaksinuar nuk do të jenë të mjaftueshme për të ndalur valën e virusit. Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar amerikanët që udhëtojnë për në Gjermani, që të sigurohen të jeni të vaksinuar plotësisht para udhëtimit. (Belinda Koka Ademi, TVM2)