Maqedoni
U bë promovimi i veprës kushtuar prof.dr. Remzi Nesimit
17.12.2014 17:11
Me rastin e shënimit të 80 vjetorit të lindjes së profesorit universitar, Remzi Nesimit dhe shënimit të 68 vjetorit...

Me rastin e shënimit të 80 vjetorit të lindjes së profesorit universitar, Remzi Nesimit dhe shënimit të 68 vjetorit të ekzistimit të Fakultetit Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup, u bë promovimi i “Buletinit kushtuar jetës dhe veprës së prof.dr. Remzi Nesimit”, njërit nga doajenët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, i cili gjithë veprimtarinë e tij ia kushtoi gjuhësisë shqipe dhe arsimit shqip.
Kjo vepër përmban analiza dhe tema të cilat i referohen rolit dhe arritjeve të prof.dr. Nesimit në sferën e gjuhësisë, të përpiluara nga bashkëpunëtorë albanologë të shquar të vendit.
“Roli i tij në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Fakultetin Filologjik dhe mundi i tij janë historike, sepse ai është profesor misionar, vizionar dhe me objektiva të qarta. Një shembull konkret i profesorëve të rangut botëror, me të cilin mund të krenohemi brenda dhe jashtë vendit”- deklaroi prof.dr. Kristina Nikollovska.
“Përmes këtij dijetari, shumë studiues albanologë kanë shprehur dhe kapur profilin e tij jetësor dhe shkencor. Prof. Nesimi nuk ka qenë vetëm një profesor shembullor, që do ta mbajmë mend përherë, por është një njeri që është baras me një institucion në vete”- tha shefi i Katedrës së Albanologjisë, prof.dr. Agim Leka.
“Bëhet fjalë për një figurë mjaft të shquar të albanologjisë jo vetëm në qarqet e Maqedonisë, por edhe shumë më gjerë. Kontributi i tij është i madh në fushën e gjuhësisë shqiptare, por njëkohësisht kontribut ka dhënë në fushën e pedagogjisë edhe të arsimit shqip”- u shpreh prof.dr.Asllan Hamiti.
Ndryshe, prof.dr. Remzi Nesimi është profesor i gjuhës shqipe dhe më parë ka ligjëruar në Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Shkupit, ka ushtruar gjithashtu edhe detyrën e rektorit në USHT-së, ndërkaq arritjet e tij shkencore i ka prezantuar brenda dhe jashtë vendit, duke marrë pjesë në simpoziume të ndryshme shkencore, seminare, konferenca ndërkombëtare dhe artikuj të ndryshëm shkencor.
VALBON BEXHETI
