Botë

OBSh jep alarmin për Europën: 2 mln viktima deri në mars, duhen masa urgjente

24.11.2021 11:13

Organizata Botërore e Shëndetësisë është e alarmuar për gjendjen nga virusi Korona në Europë...

Rastet e infektimeve janë rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit në Gjermani, Holandë dhe në Austri, ku është rikthyer mbyllja e plotë e vendit. OBSh parashikon se deri në mars të vitit 2022 do të ketë gjithsej dy milionë viktima Covid në Evropë, nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme. 
 
“Numri total i vdekjeve nga koronavirusi ka kaluar shifrën 1.5 milionë në 53 vendet e rajonit. Sot, Covid-19 është shkaku kryesor i vdekjeve në Evropë dhe Azinë Qendrore.”,- shkruan OBSh-ja në një deklaratë.
 
OBSh-ja pret “stres të lartë ose ekstrem” për shtretërit e spitaleve në 25 nga 53 vendet e rajonit dhe në njësitë e kujdesit intensiv në 49 vende të vendosura për t’u përballur me pandeminë.
 
Rritja po nxitej nga varianti Delta shumë i transmetueshëm, i cili tani është mbizotërues në të gjithë rajonin, tha OBSH-ja, por edhe nga relaksimi i gjerë i masave.
 
Po kështu edhe grumbullimi i shumë njerëzve në ambiente të mbyllura për shkak të motit të ftohtë, si edhe një numër i madh ende i pavaksinuar.
 
Efikasiteti i vaksinës kundër formave të rënda të sëmundjes po zbehet dhe “shumë njerëz mbeten të prekshëm ndaj virusit”, tha OBSH-ja.
 
Aktualisht, vetëm 54 për qind e qytetarëve në 53 shtete europiane janë vaksinuar.
 
BELINDA KOKA ADEMI