Maqedoni
Familjarët para dyerve të spitalit, presin me ankth çdo informatë për shëndetin e tyre
24.11.2021 12:33
Ali Selmani nga Koliçani i Shkupit, prej së martës gjendet në Bullgari në kërkim të informatave për tre nga familjarët...

Ali Selmani nga Koliçani i Shkupit, prej së martës gjendet në Bullgari në kërkim të informatave për tre nga familjarët e tij që janë sipas të gjitha gjasave, në mesin e viktimave. Në autobusin e aksidentuar ai kishte 7 familjarë, 4 prej tyre arritën të shpëtojnë e janë në spital. Por, ende nuk i është lejuar të shohë bashkëshorten e lënduar. E vetmja informatë për të është ajo që marrin nga mjekët.
“Erdhëm që të shohim si janë të mbijetuarit, nuk kemi qasje. Mirë janë, na njoftojnë mjekët, thonë mirë janë, janë në traumë, por që t’i shohim, nuk mund t’i shohim. Nuk di si të shprehem, sepse sa më shumë presim, aq më e dhimbshme bëhet. Morëm informacione se pacientët e mbijetuar janë në gjendje të mirë, janë operuar, por nuk i kemi takuar ende pasi thonë se kanë trauma dhe duhet të presim pak.”,- tha bashkëshorti i njërës nga të lënduarat, Ali Selmani.
7 pacientët në gjendje stabile, Mjekët: U duhet edhe ndihmë psikologjike
Mjekët e spitalit “Pirogov” në Sofje thonë se gjendja e 7 të lënduarve është stabile. Ata po u ofrojnë edhe ndihmë psikologjike si pacientëve ashtu edhe familjarëve të tyre.
“7 pacientë janë hospitalizuar në institut, 6 janë vendosur në Klinikën e Kirurgjisë Plastike një është në traumatologji, të gjithë janë në gjendje stabile, u është dhënë ndihmë nga psikologu, dy prej tyre do të operohen. Njëri është me djegie të thella në dy duart dhe duhet të operohet, po ashtu duhet të operohet edhe një vajzë në gjurin e djathtë. Tani për tani dy pacientë do të lëshohen deri në fund të kësaj jave apo në fillim të javës së ardhshme. Vajza 16 vjeçare është në gjendje të mirë shëndetësor. Me atë po punojnë psikologët. Në komunikim të mirë jemi me kolegët maqedonas.”,- tha mjekja, Maja Argirova.
“Ishte incident tejet i rëndë, të gjithëve u jepet ndihmë psikologjike. Njerëzit të cilët i kanë humbur të afërmit e tyre janë në stres të madh, prandaj edhe për ata po kujdesemi me vëmendje të madhe.”,- tha një mjek.
“Do të bëjmë gjithçka që është e domosdoshme. Operacionet e një dite më parë kanë përfunduar me sukses. Dy pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe mbeten edhe disa operacione që të mundet javën tjetër të lëshohen në shtëpi.”,- u shpreh një mjek.
Për dy pacientët që deri të premten të lëshohen në trajtim shtëpiak, është siguruar edhe transporti deri në Shkup. Gjithsesi pritet të shihet përparimi i shëndetit për ta dhe pacientët e tjerë e më pas do vendoset për rikthimin e tyre pranë familjeve.
GAZMEND REXHEPI
